Fillimi i 2014 ka qenë një ogur jo i mirë për qytetin e Durrësit, i cili brenda dy javëve të para të këtij viti të ri, është tronditur disa herë nga rastet e dhunës, kryesisht asaj në familje. Viktima më e shpeshtë e kësaj dhunë është femra e familjes, gruaja.
Rasti i bujshëm i Vojsava Arapit ishte kulmi i një serie krimesh të kësaj natyre që ndodhin thuajse çdo ditë – të raportuara nga femra të guximshme, të cilave zemërimi ju ka arritur aty ku nuk mban më, por edhe sa e sa raste të paraportuara, nga gra e vajza që i tremben opinionit, nuk kanë besim se problemi i tyre do të marrë zgjidhje apo thjesht nuk kanë mundësi të jetojnë të shkëputura nga bashkëshortët e tyre dhunues.
Sepse nuk ishte një rast si të gjithë të tjerët ai i Vojsavës, ndaj bëri bujë; sepse kësaj radhe nuk ishte vetëm një bashkëshort dhunues e përçudnues, por edhe një bir, ç’ka do të thotë se modeli i patriarkut dhunues është trashëguar edhe në brezin që po rritet.
Para dhe pas këtij – për të mbërritur në rastin më të fundit, dhunimin nënë e bijë nga bashkëshorti, babai i familjes – një sërë urdhërash mbrojtjeje janë lëshuar për të mbrojtur gratë, vajzat dhe fëmijët e dhunuar nga agresori, i cili në të kundërt me ç’mund të diktojë çdo arsye e shëndoshë, është pjestari i familjes.
Pavarësisht sensibilizimeve të herë pas hershme, dhuna në familje nuk ka të ndalur, as ajo psikologjike, verbale e aq më pak ajo fizike. Duket se është pjellë e mbartur, e cila gjenerohet ndër breza, e ushqyer nga disa faktorë: ekonomikë, socialë, madje shpesh ushqehet edhe nga vetë familja.
Jo më larg se në muajin dhjetor, kryeministri Rama tha se për viktimat e dhunës në familje do të ofrohej ndihma ligjore falas, kurse ndihma ekonomike për familjet në nevojë do të tërhiqej nga gratë, dukë qenë se meshkujt ishin të prirur ta shpenzonin këtë ndihmë jo në dobi të familjes. Në Durrës, nuk është më e pazakontë që ndihma ekonomike për familjet në nevojë të shpërndahet me vonesë, duke bërë që familje të cilat nuk kanë asnjë të ardhur tjetër, të privohen edhe nga kjo. Aktualisht, dhënia e kësaj ndihmë është me vonesë një muaj. Nuk dihet nëse kryeministri ka dijeni për këtë.
Në kushtet e mungesës së kësaj ndihme për të tilla familje, problemet e ndryshme me të cilat përballen, i bëjnë dhunuesit e heshtur brenda saj, të kenë një arsye më shumë për të shpërthyer në veprim konkret, keqbërje ndaj personave të afërt, grave të familjes.
Teksa rastet sa vijnë e shtohen, korniza brenda së cilës zhvillohet e gjitha, ka krisjet e saj. Një kuadër ligjor deri diku i plotë, por jo fort mirë i zbatueshëm deri në dhënien e dënimit për agresorët; një shoqëri thellësisht patriarkale që nuk dënon mashkullin dhunues, porse legjitimon dhunën kur ajo kryeht nga “i zoti i shtëpisë”, një mentalitet diskriminues ndaj femrës së dhunuar e aq më tepër ndaj asaj që rebelohet ndaj dhunuesit të saj, mungesa shpesh e pavarësisë ekonomike dhe zhvillimi intelektual i vetë femrave në zona të caktuara, janë disa nga faktorët ushqyes të këtij fenomeni. Por, duhet ndaluar menjëherë. Për të mirën tonë, i duhet dhënë fund.