giovedì 5 settembre 2013

Patenta e 1929-s, dokumenti i shoferit më të vjetër në Durrës

Një patentë, e cila në kohën kur është lëshuar quhej “leje shoferi”, e datës 7 qershor 1929, është një prej dokumenteve më të vjetër në këtë fushë të ruajtur deri më sot në Durrës. Ajo i përkiste qytetarit Hamdi Beqiri dhe për shumë vite me radhë ruhet me fanatizëm nga e bija, Shpresa Beqiri, piktore e mirnjohur.
Në formën e një libërthi, apo më mirë të thuhet, e ngjashme me letrnjoftimet e mëvonshme, në faqen e parë të saj, leja e shoferit paraqet gjeneralitetet e zotëruesit, datën e lëshimit dhe numrin e regjistrimit.
Në fletët e brendshme lexohet ky tekst “Zoti Hamdi Beqiri, ka leje me përdorë një qerre me fuqi motori (motosikletë) në bazë të provimeve që ka dhanë përpara këtij Autoriteti në Durrës, me datë 7/06/1929 .” më tej vijojnë vulat përkatëse të kompetentëve që kanë lëshuar lejen e shoferit dhe në faqen përbri saj, janë të vendosura dy pullat e pagesave të taksave dhe fotografia e qytetarit Hamdi Beqiri.
“Im atë ishte 20 vjeç kur e mori lejen e shoferit dhe me shaka kujtonte, vite më vonë, që ishte brezi që i kishte dhënë makinave me rrota druri. Që prej vitit 1929 e deri sa doli në pension në 1969, ai punoi si shofer. Madje tregonte se për një periudhë kohe kishte qenë edhe shofer i Harry Fultzit, kur ky i fundit ka ardhur në Shqipëri”, tregon piktorja Beqiri.
Hamdi Beqiri ishte ndër shoferët e parë në qytetin e Durrësit dhe deri në vitin 1933, zotëronte tri makina, ndër të cilat edhe një tip Benz, me shtatë vende, sikurse kujton e bija. Të gjitha këto, u shtetëzuan me ardhjen në pushtet të regjimit komunist.
Leja e shoferit e vitit 1929 është në gjendje të përsosur dhe kjo falë ruajtjes brenda këllëfit origjinal, por edhe kujdesit të familjarëve të Beqirit. Madje e bija, pohon se duke nisur prej lejes së parë, në shtëpi ajo ruaj edhe të gjitha ripërtëritjet e dokumentit, deri kur Hamdi Beqiri Doli në pension.
Automjetet e para në Shqipëri, regjistrohen në Durrës
Për herë të parë, prania e automjeteve në vendin tonë është dokumentuar më 18 tetor 1919, në Durrës. Në atë kohë, vendi sapo kishte dalë i rrënuar nga Lufta e Parë Botërore dhe në qytetin bregdetar, nga data 25 deri më 27 dhjetor 1918, ishte mbajtur Kongresi i Durrësit, prej nga ku doli edhe një qeveri e përkohëshme, e njohur si Qeveria Provizore e Durrësit. Pikërisht në dokumentat e kësaj qeverie, në një komunikim të sajin me Ministrinë e Jashtme të Italisë më 18 tetor 1919, rezulton se në Durrës kishte automjete. Madje, kishte edhe një lloj shërbimi për regjistrimin e tyre.
Menjëherë pas konsolidimit të integritetit të vendit, veçanërisht pas Kongresit të Lushnjës, që u mbajt më 23 janar 1920, nisi edhe rimëkëmbja ekonomike dhe, vetvetiu, erdhi edhe rritja e numrit të automjeteve. Në vitin 1921, në vend numëroheshin mbi 10 automjete të llojeve të ndryshme, një pjesë të përqëndruar në Tiranë dhe pjesa tjetër e shpërndarë në qytetet e tjera.
Shtimi i numrit të automjeteve solli, në atë kohë, edhe nevojën e një kuadri ligjor për të rregulluar veprimtarinë e tyre, ligj i cili u miratua në vitin 1924.
Ligji për “qerret me fuqi motori”
Kështu njiheshin në atë kohë… qerre me fuqi motori. Më 10 prill 1924, Këshilli i Lartë (që në atë kohë ishte i barazvlefshëm me institucionin e kryetarit të shtetit) miratoi dekret-ligjin “Mbi shërbimin e automobilave dhe të çdo qerreje me fuqi motori”. Në këtë dekret-ligj përcaktohej se “qerre me fuqi motori” quheshin automobilat, motoçikletat, traktorët, dhe çdo lloj qerre tjeter me motor që punon në rrugë e sheshe publike.
Ky dekret-ligj përcakton, për herë të parë, edhe dokumentacionin që duhet të kishte si automjeti, ashtu edhe drejtuesi i tij. Kështu, dy dokumentat bazë ishin: Leja e Veprimit, që është e barazvlefshme me lejen e sotme të qarkullimit të çdo automjeti, dhe Leja e Shoferit, që sot quhet leja e drejtimit. Në atë kohë, ligja përcaktonte se mosha minimale për t’u pajisur me leje drejtimi ishte 20 vjeç.
Në atë kohë, ai dekret-ligj shoqërohej edhe me një rregullore zbatimi, e cila, mes të tjerave, parashikonte edhe kushtet për t’u pajisur me leje drejtimi, që janë thuajse të njëjta edhe sot e kësaj dite: çertifikatë lindje, vërtetimi i vendbanimit, raporti mjekesor, dy fotografi, provimi teorik dhe provimi praktik.
Shumica, automjete amerikane
Në vitin 1926 bëhet edhe inventari i parë i të ashtuquajturave “qerre me motor” në të gjithë vendit, i ndarë sipas prefekturave. Në atë vit, në të gjithë vendin ishin 483 automjete të ndryshme. Në Durrës ishin të regjistruara 70 automjete. Në vitet e mëvonshme, krahas numrit të përgjithshëm është regjistruar edhe tipi i tyre. Nga kjo rezulton se, fillimisht, numri më i madh i automjeteve ishte i prodhimit amerikan. Kështu, në vitin 1927, në vend ishin të regjistruara 426 automjete amerikane, 99 gjermane dhe 5 automjete franceze. Në vitin 1929, numri i automjeteve amerikane arriti në 701. Por, me kalimin e kohës, gjatë viteve ’30, pjesa më e madhe e automjeteve kishin prejardhje nga vendet evropiane, kryesisht nga Gjermania dhe Franca.
Që në atë kohë janë regjistruar edhe aktivitetet e para sportive automobilistike. Në vitin 1927, në Korçë, u organizua gara e parë autobilistike. Por, bashkë me automjetet u shfaqën edhe aksidentet. Në gazetën “Zëri i Korçës”, të datës 15 mars 1927, në shkrimin “Automobilistët dhe marrëzitë e tyre” thuhet: “Javën e parë, një automobilist, nga nxitimi i tij, e vrau një djalë … Është vënë re se automobilistët i ngasin automobilat e tyre nëpër qytet me një tërbim sikur kanë për të marrë rekordin e shpërjtësisë…”

Nessun commento:

Posta un commento