Ditëve të festave, cilatdo qofshin ato, ajo që më habit akoma- madje çuditem me veten- është “dashamirësia” dhe “ndjeshmëria” që karakterizon shumicën prej nesh. Bëhemi papritur më solidarë se asnjëhërë me hallin e tjetrit, më fëmijën e tjetrit, më shtëpinë e tjetrit, a thua se ky tjetri, bashkë me gjithë barrën e mundimeve të veta TË PËRDITSHME, mbiu nga hiçi atë prag Krishtlindjesh, apo cilësdo festë.
Në fakt, ai tjetri nga i cili po kthejmë sytë në emër të ndjeshmërisë festive, ka qenë aty prej kohësh, ka shtrirë dorën e tij çdo ditë, barkun e ka pasur po aq pak të mbushur dhe këmbët, po aq të zbathura sa sot, në ditën kur ne kemi vendosur të bëjmë bamirësinë ndaj tij, ose thjesht të reklamojmë veten.
Nuk dua të dyshoj aspak të zemërgjerësinë e atyre që sensibilizohen në prag festash a ditësh të shënuara dhe kontribuojnë që ashtu sikurse ata, të festojnë edhe njerëzit që nuk munden. E në fakt, nuk dyshoj, atëherë kur bëhet fjalë për njerëz të thjeshtë, të cilët ndonëse vullnetin e kanë shumë të madh, xhepat i kanë shumë të vegjël, aq sa zor të përballojnë shpenzimet e tyre, jo t’ju teprojë për t’ua dhënë atyre që nuk kanë. Ndaj vendosin që të dhurojnë në ditë festash.
Ama, dyshoj në zemërgjerësinë e pushtetarëve që dhurojnë ushqime për të pastrehët që s’skanë ku të fusin kokën; lodra për fëmijët që s’kanë kopshte e aq më pak kushte trajnimi, kur vjen puna tek ata me aftësi të kufizuara. Është ndoshta hipokrizia më e madhe e gjithë atmosferës festive, ky teatër i pashembullt, i sajuar vetëm për të fituar pikë në imazh.
Fëmijë që u vidhet fëmijëria e vriten rrugve duke lypur, të moshuar që s’kanë ku të fusin kokën, pensionistë që punuan për këtë vend e tani nuk marrin as më të voglën ndihmë, janë realitet i njohur për të gjithë, aq më shumë për ata që na qeverisin.
Akoma edhe më shumë dyshoj, kur pas bamirësit vjen një radhë e gjatë njerëzish po kaq të përkushtuar, për të dhuruar, për të falur ngrohtësi tek nevojtarët, madje, madje edhe për të bërë fotografi, shumë fotografi, mundësisht duke pozuar, sepse duhen postuar në rrjete sociale. Nëse nuk i poston, s’ke bërë bamirësi fare, madje një mendje e mbrapshtë do mendonte së bamirësia në kësi rastesh, ndaj bëhët, për t’u rrëfyer publikisht , ndryshe zëre se nuk e kë bërë.
Të jesh filantrop është një gjë, të jesh bamirës me kohë të pjesshme është diçka tjetër. Në këtë të fundit, të jesh bamirës me kohë të pjesshme për shkak të kushteve që ke, është një gjë dhe të jesh bamirës me kohë të pjesshme se ashtu ta kërkon detyra, është një gjë tjetër.
Mbi të gjitha këto, qendron respekti për figurën njerëzore, pikërisht për atë tjetrin, të cilin e shohim, duam ta shohim vetëm me raste festash. Nëse ai ka nevojë për mua, për ty, për atë që na qeveris, të jemi të sigurtë që dita e festës është më e pakta ditë në të cilën do të na shohë fytyrën, ndoshta s’ka qejf as të dalë fotografi, sepse sigurisht e di që ai, në të gjithë këtë “hajde-dhurojmë-ndonjëgjë-së-është-festë”, është i fundit që fiton, madje me të ikur ne, do të jetë po njësoj e do të na presë, ndoshta, në festën e radhës.
Nessun commento:
Posta un commento