venerdì 25 ottobre 2013

Anila Rubiku dhe Jeffrey Adams sjellin “Shqipëria- Gratë, drejtësia dhe ligji”

Jeffrey Adams me grate e burgut 325
Anila Rubiku, artistja durrsake ,e cila prej vitesh jeton ne Itali dhe Jeffrey Adams, psikologu me origjinë kanadeze, rrëfejnë për “Gazetën e  Durrësit”, projektin e tyre, një ndërmarrje të cilën nuk do të donin për asnjë moment, ta sillnin si një bujë mediatike më shumë.

Dhuna në familje është një ndër fenomenet më të shpeshta në një vend si Shqipëria. Shkaqet e këtij fenomeni janë të ndryshme dhe të evidentuara jo pak publikisht, sa herë këto raste kanë pasur shpërthimin e tyre mediatik, apo në opinionin publik.
Pikërisht dhuna në familje ka qenë edhe motivi kryesor i projektit më të fundit të artistes durrsake Anila Rubiku dhe psikologut Jeffrey Adams. I titulluar “Shqipëria- Gratë, drejtësia dhe ligji”, projekti vjen si risi. Nuk kërkon të analizojë shkaqet që çojnë gratë drejt burgut, por përmes eksperiencës së tyre, të parandalojnë fenomenin në një zgjerim të mëtejshëm të tij.
“Është një projekt të cilin e kam ideuar para shumë vitesh, por nuk kanë qenë kushtet e duhura. Më në fund, mora një ftesë edhe nga TICA (Tirana Institute of Contemporary Art) dhe kështu nisi zbatimi i projektit. Ka qenë një eksperiencë e bukur dhe e dhimbshme në të njejtën kohë, e cila do të finalizohet me një ekspozitë dhe një diskutim të hapur me të gjithë aktorët që veprojnë në situata të tilla. Bashkë me Jeffrey-n, nuk kemi dashur në asnjë moment të zbulojmë shkakun që i ka çuar ato gra aty, por çfarë ka ndodhur para se ato të përfundodnin në qeli. Askush nga ato nuk ka ndërmarrë një veprim të tillë, pa të paktën dhjetra e qindra përpjekje të bëra për shmangien e dhunës, objekt i së cilës kanë qenë. Kemi ngritur pyetje të tipit sa ndërgjegjësohen familjarët për një situatë të tillë, po institucionet përgjegjëse, sa e zbaton shteti rolin e tij, çfarë ndodh me këto gra para ushtrimit të dhunës dhe pas saj, para kryerjes së krimit për të cilin janë akuzuar dhe pas tij”, sqaron Anila Rubiku, projektin e saj.
Ajo i është referuar rasteve të grave në burgun 325 në kryeqytet, historitë e të cilave kishin një burim të vetëm, dhunën ndaj tyre dhe fëmijëve të tyre.
“ Për mua është hera e parë që punoj në një burg grash, aq më tepër kur për to jam një psikolog i huaj”, thotë psikologu anglez, me origjinë kanadeze, Jeffrey Adams. “Ndryshe nga çfarë ndodh me meshkujt në burgun përkatës, femrat janë më bashkëpunuese mes tyre, sepse shumica e tyre janë nëna dhe bashkëbisedimet me njëra-tjetrën janë ngushëlluese për to. Ajo që kam kuptuar gjatë dy muajve të realizimit të këtij projekti me Anilën, ka qenë fakti se gratë shqiptare janë shumë inteligjente. Duke e thenë këtë, pohoj se duhet të jenë prekur deri në palcë, që kanë kryer krimin për të cilin janë akuzuar”, vijon më tej psikologu.
Sipas tij, pas çdo veprimi të dëmshëm që bën një grua, është gjithmonë një mashkull nga pas. “Është gjithmonë një mashkull aty pas, një mashkull që i ka detyruar ato të durojnë dhunën, të shohin me sytë e tyre përdhunimin e fëmijëve, t’i detyrojë ato të konsumojnë substance narkotike, të prostituojnë apo të vjedhin. Gjithmonë është një burrë ai që gjeneron skenën e krimit”, thotë psikologu i huaj.
Pas dy muajve qëndrim pranë këtyre grave, Jeffrey dhe Anila kanë ngati përfundimet e një projekti, për tëcilin urojnë të ketë ndikimin e duhur.
Projekti, ndërgjegjësim përmes artit
Adams dhe Rubiku nuk kanë dashur aspak të sillnin një tjetër projekt që të ndalej vetëm në takimet formale me gratë e burgosura, disa konferenca për shtyp dhe kaq. “Jo, ne i vumë vetes si detyrë që do të punonim gjatë me to; do të shpenzonim kohë në praninë e tyre, do të bisedonim dhe do të kuptonim se çfarë ndiejnë ato, çfarë kanë ndierë gjatë kohës së izolimit, do t’i pyesnim ato për fëmijët, për jetën dhe këtë bëmë përmes këtij projekti”, thotë Anila.
Të dy bashkë me Jeffrey-n, kanë sjellë bashkë pikturën me zbërthimin psikologjik, ku e para, vihet në funksion të të dytës. Sipas tyre, arti i vetëm, është i pafuqishëm për të kuptuar atë çfarë ndodh me të dhunuarat, por ai mund të bëhet një mjet shumë efikas e bashkë me psikologjinë, mund të arrijnë në përfundime të vlefshme, evidentuese dhe ndërgjegjësuese.
“Ideuam disa pyetje të cilat kishin lidhje të tërthortë më atë që këto gra kishin bërë për të përfunduar në burg, kjo jo vetëm për të mos i lënduar sërish, por edhe për të kuptuar më shumë rreth tyre. Në fund të fundit, ne nuk ishim gjykatësit e tyre, por njerëz që kërkonin t’i ndihmonin, t’i dëgjonin. Lidhëm pikturën me psikologjinë. Ju kërkuam atyre të na paraqesnin, bie fjala, avokatin e tyre, përmes një vizatimi. Duke parë mënyrën se si ato pikturonin, ngjyrat që përdornin, arritëm të kuptonim shumë”, tregon psikologu Jeffrey Adams.
Ai dhe artistja durrsake Anila Rubiku, kanë vizituar gratë burgut 325 tre herë në javë, për më shumë se dy muaj, në një sipërmarrje e cila për ta, pati tre rezultate.
“Së pari në u ndalëm dhe morëm në konsiderat këto gra. Me sa kuptuam nga bisedat me to, asnjë nuk i kishte kushtuar atyre vëmendje. Të gjithë merreshin ose me krimin, ose me viktimën, ose më fëmijët e mbetur jashtë e pa përkrahje. Gratë llogariteshin shumë pak dhe në këtë mënyrë, ato pësonin një dhunim të dytë, kësaj radhe nga institucionet që duhet t’i merrni në mbrojtje.
Së dyti kërkuam të evidentonim efektshmërinë e sistemit tonë ligjor për situata të tilla. Kemi një bazë ligjore të kompletuar, por zbatueshmëria lë për të dëshiruar në një pjesë të madhe të hallkave.
Së treti, kërkuam të tregonim se çdo gjë e ka një shkak, ka qenë një faktor që ka gjeneruar dhunën dhe shumë të tjerë që i janë bashkëngjitur deri sa gratë kanë përfunduar të izoluara në qeli. Pikërisht tek ky shkak fillestar do të duhet të ndërhyjmë, para se dëmi të bëhet”, thotë Rubiku.
Për psikologun Adams, kjo ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme. “Kuptova shumë, jo vetëm nga historitë e tyre personale, por edhe nga mënyra se si ato flisnin për marrëdhëniet me institucionet, qofshin këto shtetërore apo shoqatat për mbrojtjet e grave. Mund të them se ajo që është bërë deri tani, është një punë e përciptë. Dhuna e meshkujve ndaj femrave dhe për rrjedhojë reagimi i femrave në forma të tilla si vrasja, është një fenomen mbarë botëror, kjo është e padiskutueshme, por në asnjë moment, këtyre femrave nuk duhet t’ju mungojë vëmendja dhe mbështetja nga shteti dhe drejtësia”, thotë Adams.
Iniciatorët e projektit, kërkojnë që përmes zbërthimit të eksperiencës së këtyre grave, të mund të nxirren përfundime, të cilat të parandalojnë përhapjen e mëtejshme të fenomenit të dhunës.
Ekspozita përfundimtare
Gratë pjesmarrëse në këtë projekt do të mbeten anonime. Historia e tyre nuk do të ketë emër, as piktura e tyre që do të jetë pjesë e ekspozitës. Nuk ka qenë qëllimi i organizatorëve të tregojnë histori të personalizuara, porse të sjellin fenomenin e përmes tij, të ndërgjegjësojnë për zhdukjen. Ndonëse në projekt morën pjesë thuajse të gjitha gratë e burgut 325, në ekspozitë janë përzgjedhur 12 punime.
“Do të organizohet një ekspozitë e përbashkët e pikturave të këtyre grave  dhe pikturave të mia, nuk do të ketë dallim, as emër tyrin dhe timin, asgjë identifikuese. Pas ekspozitës, kemi ftuar në një debat të hapur, përfaqësues të organizatave të ndryshme që marrin në mbrojtje gratë e dhunuara. Duam që të mos jetë thjesht kurorëzimi i një projekti, por vërtetë të nxjerrim përfundime të vlefshme”, thotë Anila Rubiku.
Anila dhe Jeffrey

domenica 20 ottobre 2013

Shpëtoni “Dyrrahu”-n e fundit!

Është e vetmja revistë-enciklopedi, e cila i dedikohet Durrësit në pjesën më të madhe të faqeve të saj e fatkeqësisht është e detyruar të mbyllet. Numri i fundit, i përgatitur dhe i gatshëm për botim, “fle” në kompjuterin e studiuesit Halim Maloku, i cili për 14 vite me radhë, ka qenë edhe redaktori përgjegjës i këtij botimi. Mungesa e financimeve po e çon, më mirë të thuhet e ka çuar, drejt fundit këtë periodik, i cili pa frikë quhet pasuri lokale, por edhe kombëtare në fushën e botimeve shkencore.
“Nuk arritëm dot ta mbanim “gjallë”, sepse nuk gjejmë dot më as lekët e botimit. Për pagesat e studiuesve që kontribuojnë në të, nuk bëhet fjalë”, shprehet redaktori Maloku.
Prej kohësh ai ruan versionin përfundimtar të revistës shkencore, e cila në këtë numër, ka mbi 500 faqe. Teksa dëgjon profesor Malokun të flasë për mbylljen e “Dyrrahut”, e para gjë që të shkon ndërmend, është pyetja “Përse nuk mbijetojnë botime të tilla?”
“Nuk gjejnë përkrahjen e duhur. Nuk mjafton vetëm dashuria dhe përkushtimi i njerëzve që bëjnë pjesën e përgatitjes, fatkeqësisht, ana financiare është më e rëndësishme”, përgjigjet studiuesi. Ai vetë e di, që problemi është shumë herë më i gjerë së kaq dhe ka të bëjë më shpërndarjen e gabuar të financimit të projekteve, mungesën e vëmendjes dhë dashamirësisë, mungesën e kulturës dhe interesit.
Në çdo derë institucioni në të cilin ka trokitur, qoftë për shpëtimin e “Dyrrahut”, qoftë për projektin e botimeve “Pavarësisa”, një kolanë e papërsëritshme që përmbledh dokumente autentike të shtetit shqiptar ndër vite apo edhe materiale më të gjera, ka ndeshur në indiferentizmin e drejtuesve lokalë. Para disa kohësh, kryetari i bashkisë, i është drejtuar me fjalët “nuk ka lekë”, duke mos e parë në sy, në një kohë që kishin kaluar vetëm 3 sekonda nga hyrja e tij në zyrën e pritjeve të kryetarit.
“Do të doja shumë të botohej dhe ky numër i fundit. Më tej, është e pamundur…për shumë arsye”, thotë Halim Maloku, njeriu që me sakrificë të jashtëzakonshme, ka arritur ta sjellë deri këtu një botim të tillë, impenjativ dhe të vështirë për t’u realizuar.
Kështu, mbyllet një tjetër dritare e dijes dhe jo pak, por një dritare e çelur nga mendje të ndritura, të cilat dijen dhe informacionin, e kanë dhënë përkundrejt asgjëje.
Revista “Dyrrah”, e vetmja historiko-kulturore për Durrësin
“Dyrrah” nisi botimin e saj në 1999, nga shoqata “Pal Engjëlli”. U arritën të botohen 8 vëllime të saj me një numër të madh faqesh, me materiale studimore nga fusha e arkeologjisë, historisë, etnologjisë, folklorit dhe të kulturës në përgjithësi, të lidhura me historinë e qytetit të Durrësit, por edhe me një hapësirë më të gjerë gjithëshqiptare e mesdhetare.
Në parathënien që shoqëron këtë numër të fundit, studiuesi Halim Maloku, duke bërë një historik të shkurtër të revistës ndër vite, shkruan:
“Pas kaq vitesh, duke i hedhur sytë në atë që është arritur, mund të thuhet pa e tepruar se revista ka qenë një sukses; sukses i arritur me shumë vështirësi, si çdo gjë në këtë kohën tonë të trazuar. Por fatmirësisht ka një masë intelektualësh të brezit të shkuar, por edhe të brezit të ri, te të cilët gjallon interesi për botime të tilla dhe kjo ka qenë një inkurajim për ne që të sakrifikojmë për një qëllim të tillë, duke kujtuar se është një punë e pazavendësueshme ajo që bëhet për evidentimin e vlerave kombëtare. Ky ka qenë edhe misioni i kësaj reviste, të cilin ne mendojmë se kemi mundur ta arrijmë në maksimumin e mundshëm në kushtet e vështira të një veprimtarie studimore e botuese me karakter shkencor e kulturor, pothuajse pa asnjë mbështetje institucionale e shtetërore.”
Prej 14 vitesh, në të kanë kontribuar studiues të njohur të Durrësit, por edhe të huaj, të cilët kanë shkruar për historinë, arkeologjinë dhe kulturën e këtij qyteti, si Hasn Ulqini, Halim Maloku, Sali dhe Hava Hidri, Halil Myrto e plot të tjerë. Profesor Maloku thotë se numri i VIII dhe i fundit, është jo vetëm një përmbledhje artikujsh të rinj mbi tematika të ndryshme, por edhe një përmbledhje e artikujve më të mirë të botuar deri më sot në faqet e revistës, për të sjellë në këtë mënyrë, për herë të fundit, një pasqyrë të një pune kolosale, të bërë me vetmohim dhe përkushtim nga kontribuesit.

sabato 5 ottobre 2013

Festivali i Durrësit, do të kishte mjaftuar një ndjesë e thjeshtë publike!

Edicioni i gjashtë i Festivalit (!) Ndërkombëtar të filmit në Durrës, në fakt nuk ishte festival. Nuk dua të merrem këtu as me heqjen e mbiemrit “veror”, as me situatën e rënduar politiko-ekonomike, që solli zhvendosjen e festivalit, nga gushti në tetor. Janë lakuar aq shumë, por ç’mund t’i thuash fatkeqit, për fatin e tij të keq?
Ajo që më shqetëson është imazhi që përcillet, qoftë ky mes nesh, shqiptarëve, qoftë mes atyre të huajve, që e dinë që në Durrës, prej 6 vitesh, organizohet një Festival Filmi. A do ta bënin ata një organizim të tillë, apo thjesht do të kërkonin ndjesë publike, për t’ja nisur sërish vitin e ardhshëm, nëse gjerat përmirësoheshin. Mendoj, do të ishte më e ndershme, sikur të kishim vepruar si në rastin e dytë.
Në një bisedë me drejtoreshën artistike të Festivalit, Anila Varfin, kupton shumë gjëra, mbi të gjitha, se përse ky organizim, i trumbetuar me të madh, i krahasuar me mbiemrin e qytetit, me synimin për ta bërë Durrësin, sërish “tavernën e Adriatikut”, nuk ofroi as më shumë e as më pak, se disa filma të kinemasë retrospektivë.
Para se të nis bisedën me të, i them se ky edicion është guxim i madh, është buza e greminës, në të cilën ose bie, ose prag-rënia, të lë shijen e hidhur përgjithnjë.
“Nuk mund ta lija një fëmijë 6 vjeçar të braktisur”, i përgjigjet Varfi, pyetjes sime, se përse u organizua këtë vit ky, që vetëm festival nuk e quan dot dhe organizatorët e dinë këtë gjë.
“E di, që aty ku nuk ka kompeticion, nuk ka festival, por unë bësoj se Festivali i Durrësit, në këto 6 vite, ka arritur të përfshihet në kalendarët kinematografikë ndërkombëtarë, ndaj një shkëputje e tillë një vjeçare, mund të na kushtonte shumë”, shpjegon Varfi. Ajo shton se filmat që janë përzgjedhur për t’u shfaqur në këtë edicion, janë filma të një cilësie të lartë dhe i përkasin kinemasë retro, jo vetëm asaj shqiptare , por edhe të huaj, ku në këtë kontekst ka ardhur edhe “Diktatori i madh” i Çarli Çaplinit, premiera ballkanike e “L’intrepido” i Gianni Amelios, apo edhe filmat e dashur për shqiptarët si “Zonja nga qyteti”, “Shoku ynë Tili” e kështu me radhë. Ndërkohë, të ftuar specialë, nuk patëm dot as Gianni Amelion, as Antonio Albanesen, përkatësisht regjisorin e “L’intrepido” dhe aktorin kryesor.
A mjafton? Nuk besoj. Po flasim për një organizim, i cili marketon ndërkombëtarisht mënyrën se si ne bëjmë festivale filmi. Nëse nuk kemi mundësi ta bëjmë, të mos e bëjmë. Askush nuk do të na gjykonte për këtë. E parë nga këndvështrimi prej gazetareje, do të më tingëllonte më pak e hidhur të lexoja një titull, bie fjala, të tillë : “Mungon Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës për arsye ekonomike”, se sa një titull të tillë: “Festivali i Ndërkombëtar i Filmit në Durrës, kur s’ke pulën, do hash sorrën”, (i përshtatur sigurisht, me ndonjë proverb të të huajve, nëse atyre do t’ju binte ndërmend të shkruanin për Festivalin e Durrësit në këto kushte).
E vetmja gjë e mirë e festivalit (!) , ishte vlerësimi me çmimet e karrierës, për regjisorin Pirro Milkanin dhe një ndër themeluesit e teatrit “Aleksandër Moisiu”, Lutfi Hoxhën. Të paktën, në historinë që do të shkruhet për ta, uroj të mos shkruhet fakti që u vlerësuan, në një moment të keq për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës.
Drejtoresha artistike e festivalit, Anila Varfi, thotë se ky ishte edicion i jashtëzakonshëm. “Më duhet ta organizoja, por uroj që vitin tjetër kjo situatë të jetë përmirësuar. Shpresoj që vitin tjetër të jemi prapë “Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit në Durrës”, përndryshe do të ishte e kotë të vazhdohej më tej”, më thotë.
Si një njeri që e e njeh dhe e do kinemanë, që është përpjekur të sjëllë një Festival të tillë, në një qytet që është e kotë të mburret me të kaluarën, sepse vetëm dashuri për artin nuk ka, e kuptoj shqetësimin që ka ndjerë, pas çdo ngjitjeje në skenë, për këto pesë netë organizimi. Me siguri nuk është ajo ç’ka Anila Varfi do dhe di të bëjë.
Do të ishte më mirë një mbrëmje e vetme, një mbrëmje vlerësuese për dy figurat që u vlerësuanme çmimin e karrierës, një mbrëmje për të protestuar për vëmendjen e munguar të këtij vendi ndaj kulturës dhe artit, një mbrëmje për të kërkuar ndjesë dhe për t’i dhënë shpresë gjithë fanatikve që e kanë ndjekur dhe mbështetur për pesë vite rrjesht këtë aktivitet, një mbrëmje, e cila të mos prezantohej më nga aktori Timo Flloko, që me gjithë respektin për karrierën e tij, syzet e errta të diellit, Ray Ban nuk mbahen kur prezanton në një skenë, ku spektator ke Lutfi Hoxhën e Gjergj Vlashin, e aq më pak, mbahet dora në xhep.
Ambiciet e nisjes së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, qenë të mëdha, që prej fillimit, ndaj dhe pritshmëria për këtë festival, sa vinte dhe rritej. Askush nuk meritonte një shije të tillë sivjet, as organizatorët, as publiku. Nuk kishte pse, do të kishte mjaftuar një ndjesë e thjeshtë publike.