sabato 5 ottobre 2013

Festivali i Durrësit, do të kishte mjaftuar një ndjesë e thjeshtë publike!

Edicioni i gjashtë i Festivalit (!) Ndërkombëtar të filmit në Durrës, në fakt nuk ishte festival. Nuk dua të merrem këtu as me heqjen e mbiemrit “veror”, as me situatën e rënduar politiko-ekonomike, që solli zhvendosjen e festivalit, nga gushti në tetor. Janë lakuar aq shumë, por ç’mund t’i thuash fatkeqit, për fatin e tij të keq?
Ajo që më shqetëson është imazhi që përcillet, qoftë ky mes nesh, shqiptarëve, qoftë mes atyre të huajve, që e dinë që në Durrës, prej 6 vitesh, organizohet një Festival Filmi. A do ta bënin ata një organizim të tillë, apo thjesht do të kërkonin ndjesë publike, për t’ja nisur sërish vitin e ardhshëm, nëse gjerat përmirësoheshin. Mendoj, do të ishte më e ndershme, sikur të kishim vepruar si në rastin e dytë.
Në një bisedë me drejtoreshën artistike të Festivalit, Anila Varfin, kupton shumë gjëra, mbi të gjitha, se përse ky organizim, i trumbetuar me të madh, i krahasuar me mbiemrin e qytetit, me synimin për ta bërë Durrësin, sërish “tavernën e Adriatikut”, nuk ofroi as më shumë e as më pak, se disa filma të kinemasë retrospektivë.
Para se të nis bisedën me të, i them se ky edicion është guxim i madh, është buza e greminës, në të cilën ose bie, ose prag-rënia, të lë shijen e hidhur përgjithnjë.
“Nuk mund ta lija një fëmijë 6 vjeçar të braktisur”, i përgjigjet Varfi, pyetjes sime, se përse u organizua këtë vit ky, që vetëm festival nuk e quan dot dhe organizatorët e dinë këtë gjë.
“E di, që aty ku nuk ka kompeticion, nuk ka festival, por unë bësoj se Festivali i Durrësit, në këto 6 vite, ka arritur të përfshihet në kalendarët kinematografikë ndërkombëtarë, ndaj një shkëputje e tillë një vjeçare, mund të na kushtonte shumë”, shpjegon Varfi. Ajo shton se filmat që janë përzgjedhur për t’u shfaqur në këtë edicion, janë filma të një cilësie të lartë dhe i përkasin kinemasë retro, jo vetëm asaj shqiptare , por edhe të huaj, ku në këtë kontekst ka ardhur edhe “Diktatori i madh” i Çarli Çaplinit, premiera ballkanike e “L’intrepido” i Gianni Amelios, apo edhe filmat e dashur për shqiptarët si “Zonja nga qyteti”, “Shoku ynë Tili” e kështu me radhë. Ndërkohë, të ftuar specialë, nuk patëm dot as Gianni Amelion, as Antonio Albanesen, përkatësisht regjisorin e “L’intrepido” dhe aktorin kryesor.
A mjafton? Nuk besoj. Po flasim për një organizim, i cili marketon ndërkombëtarisht mënyrën se si ne bëjmë festivale filmi. Nëse nuk kemi mundësi ta bëjmë, të mos e bëjmë. Askush nuk do të na gjykonte për këtë. E parë nga këndvështrimi prej gazetareje, do të më tingëllonte më pak e hidhur të lexoja një titull, bie fjala, të tillë : “Mungon Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës për arsye ekonomike”, se sa një titull të tillë: “Festivali i Ndërkombëtar i Filmit në Durrës, kur s’ke pulën, do hash sorrën”, (i përshtatur sigurisht, me ndonjë proverb të të huajve, nëse atyre do t’ju binte ndërmend të shkruanin për Festivalin e Durrësit në këto kushte).
E vetmja gjë e mirë e festivalit (!) , ishte vlerësimi me çmimet e karrierës, për regjisorin Pirro Milkanin dhe një ndër themeluesit e teatrit “Aleksandër Moisiu”, Lutfi Hoxhën. Të paktën, në historinë që do të shkruhet për ta, uroj të mos shkruhet fakti që u vlerësuan, në një moment të keq për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës.
Drejtoresha artistike e festivalit, Anila Varfi, thotë se ky ishte edicion i jashtëzakonshëm. “Më duhet ta organizoja, por uroj që vitin tjetër kjo situatë të jetë përmirësuar. Shpresoj që vitin tjetër të jemi prapë “Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit në Durrës”, përndryshe do të ishte e kotë të vazhdohej më tej”, më thotë.
Si një njeri që e e njeh dhe e do kinemanë, që është përpjekur të sjëllë një Festival të tillë, në një qytet që është e kotë të mburret me të kaluarën, sepse vetëm dashuri për artin nuk ka, e kuptoj shqetësimin që ka ndjerë, pas çdo ngjitjeje në skenë, për këto pesë netë organizimi. Me siguri nuk është ajo ç’ka Anila Varfi do dhe di të bëjë.
Do të ishte më mirë një mbrëmje e vetme, një mbrëmje vlerësuese për dy figurat që u vlerësuanme çmimin e karrierës, një mbrëmje për të protestuar për vëmendjen e munguar të këtij vendi ndaj kulturës dhe artit, një mbrëmje për të kërkuar ndjesë dhe për t’i dhënë shpresë gjithë fanatikve që e kanë ndjekur dhe mbështetur për pesë vite rrjesht këtë aktivitet, një mbrëmje, e cila të mos prezantohej më nga aktori Timo Flloko, që me gjithë respektin për karrierën e tij, syzet e errta të diellit, Ray Ban nuk mbahen kur prezanton në një skenë, ku spektator ke Lutfi Hoxhën e Gjergj Vlashin, e aq më pak, mbahet dora në xhep.
Ambiciet e nisjes së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, qenë të mëdha, që prej fillimit, ndaj dhe pritshmëria për këtë festival, sa vinte dhe rritej. Askush nuk meritonte një shije të tillë sivjet, as organizatorët, as publiku. Nuk kishte pse, do të kishte mjaftuar një ndjesë e thjeshtë publike.

Nessun commento:

Posta un commento