Është e vetmja revistë-enciklopedi, e cila i dedikohet Durrësit në pjesën më të madhe të faqeve të saj e fatkeqësisht është e detyruar të mbyllet. Numri i fundit, i përgatitur dhe i gatshëm për botim, “fle” në kompjuterin e studiuesit Halim Maloku, i cili për 14 vite me radhë, ka qenë edhe redaktori përgjegjës i këtij botimi. Mungesa e financimeve po e çon, më mirë të thuhet e ka çuar, drejt fundit këtë periodik, i cili pa frikë quhet pasuri lokale, por edhe kombëtare në fushën e botimeve shkencore.
“Nuk arritëm dot ta mbanim “gjallë”, sepse nuk gjejmë dot më as lekët e botimit. Për pagesat e studiuesve që kontribuojnë në të, nuk bëhet fjalë”, shprehet redaktori Maloku.
Prej kohësh ai ruan versionin përfundimtar të revistës shkencore, e cila në këtë numër, ka mbi 500 faqe. Teksa dëgjon profesor Malokun të flasë për mbylljen e “Dyrrahut”, e para gjë që të shkon ndërmend, është pyetja “Përse nuk mbijetojnë botime të tilla?”
“Nuk gjejnë përkrahjen e duhur. Nuk mjafton vetëm dashuria dhe përkushtimi i njerëzve që bëjnë pjesën e përgatitjes, fatkeqësisht, ana financiare është më e rëndësishme”, përgjigjet studiuesi. Ai vetë e di, që problemi është shumë herë më i gjerë së kaq dhe ka të bëjë më shpërndarjen e gabuar të financimit të projekteve, mungesën e vëmendjes dhë dashamirësisë, mungesën e kulturës dhe interesit.
Në çdo derë institucioni në të cilin ka trokitur, qoftë për shpëtimin e “Dyrrahut”, qoftë për projektin e botimeve “Pavarësisa”, një kolanë e papërsëritshme që përmbledh dokumente autentike të shtetit shqiptar ndër vite apo edhe materiale më të gjera, ka ndeshur në indiferentizmin e drejtuesve lokalë. Para disa kohësh, kryetari i bashkisë, i është drejtuar me fjalët “nuk ka lekë”, duke mos e parë në sy, në një kohë që kishin kaluar vetëm 3 sekonda nga hyrja e tij në zyrën e pritjeve të kryetarit.
“Do të doja shumë të botohej dhe ky numër i fundit. Më tej, është e pamundur…për shumë arsye”, thotë Halim Maloku, njeriu që me sakrificë të jashtëzakonshme, ka arritur ta sjellë deri këtu një botim të tillë, impenjativ dhe të vështirë për t’u realizuar.
Kështu, mbyllet një tjetër dritare e dijes dhe jo pak, por një dritare e çelur nga mendje të ndritura, të cilat dijen dhe informacionin, e kanë dhënë përkundrejt asgjëje.
Revista “Dyrrah”, e vetmja historiko-kulturore për Durrësin
“Dyrrah” nisi botimin e saj në 1999, nga shoqata “Pal Engjëlli”. U arritën të botohen 8 vëllime të saj me një numër të madh faqesh, me materiale studimore nga fusha e arkeologjisë, historisë, etnologjisë, folklorit dhe të kulturës në përgjithësi, të lidhura me historinë e qytetit të Durrësit, por edhe me një hapësirë më të gjerë gjithëshqiptare e mesdhetare.
Në parathënien që shoqëron këtë numër të fundit, studiuesi Halim Maloku, duke bërë një historik të shkurtër të revistës ndër vite, shkruan:
“Pas kaq vitesh, duke i hedhur sytë në atë që është arritur, mund të thuhet pa e tepruar se revista ka qenë një sukses; sukses i arritur me shumë vështirësi, si çdo gjë në këtë kohën tonë të trazuar. Por fatmirësisht ka një masë intelektualësh të brezit të shkuar, por edhe të brezit të ri, te të cilët gjallon interesi për botime të tilla dhe kjo ka qenë një inkurajim për ne që të sakrifikojmë për një qëllim të tillë, duke kujtuar se është një punë e pazavendësueshme ajo që bëhet për evidentimin e vlerave kombëtare. Ky ka qenë edhe misioni i kësaj reviste, të cilin ne mendojmë se kemi mundur ta arrijmë në maksimumin e mundshëm në kushtet e vështira të një veprimtarie studimore e botuese me karakter shkencor e kulturor, pothuajse pa asnjë mbështetje institucionale e shtetërore.”
Prej 14 vitesh, në të kanë kontribuar studiues të njohur të Durrësit, por edhe të huaj, të cilët kanë shkruar për historinë, arkeologjinë dhe kulturën e këtij qyteti, si Hasn Ulqini, Halim Maloku, Sali dhe Hava Hidri, Halil Myrto e plot të tjerë. Profesor Maloku thotë se numri i VIII dhe i fundit, është jo vetëm një përmbledhje artikujsh të rinj mbi tematika të ndryshme, por edhe një përmbledhje e artikujve më të mirë të botuar deri më sot në faqet e revistës, për të sjellë në këtë mënyrë, për herë të fundit, një pasqyrë të një pune kolosale, të bërë me vetmohim dhe përkushtim nga kontribuesit.
Nessun commento:
Posta un commento