mercoledì 20 novembre 2013

OBSH: 41.5% e fëmijëve dhe adoleshentëve shqiptarë pësojnë dhunë fizike

19 nëntori është përcaktuar si Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Fëmijëve. Ky fenomen konsiderohet një problem madhor i shëndetit publik kudo në botë dhe me pasoja të rënda për gjatë gjithë jetës së fëmijëve të dhunuar. Me gjithë ndërgjegjësimet, fushatat, apo më tej edhe ligjet e miratuara në shumë vende të botës, dhuna ndaj fëmijëve  është një dukuri e cila vazhdon të ekzistojë. Ndaj kjo datë është përcaktuar botërisht për të rritur ndërgjegjësimin e individëve, komuniteteve, shoqërisë dhe strukturave shtetërore për të parandaluar dhe ndaluar këtë fenomen.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, ndonëse në Shqipëri rastet e dhunimit të fëmijëve janë ende pak të raportuara, studimet e kryera në këtë fushë kanë treguar për një prevalencë të lartë të këtij fenomeni. Kështu, sipas një studimi të realizuar nga UNICEF në vitin 2006, pjesa më e madhe e të rriturve besonin se dhuna fizike dhe psikologjike ka efekte pozitive në edukimin e fëmijëve edhe pse ishin gjithashtu të ndërgjegjshëm për pasojat negative të saj.
Sipas të dhënave të studimit, format më të përhapura të dhunës psikologjike kundrejt fëmijëve në shtëpi ishin: të bërtiturat (95.3%), fyerjet (39.5 %), kërcënimet (39.0 %), përdorimi i epiteteve denigruese dhe nofkave (35.8 %), kanosje me një objekt (18.0 %). Ndërsa format kryesore të dhunës fizike të raportuara nga fëmijet në shkollë/ shtëpi përgjatë vitit të fundit ishin: tërheqje e veshit (60.1%/38.5%), pickimi (55.7%/36.9%), goditja me një objekt (53.0%/51.8%), gjuajtja me shpullë (në fytyrë dhe në trup) (52.6%/34.3%), në kokë (49.2%/35.6%), shkulje flokësh (41%/29.7%), tërheqje me forcë dhe shtyrje (34.6%/39.1%); goditje me shkelma (26.8%/25.8 %).
Studimi i OBSH i vitit 2012 mbi “Përvojat negative gjatë fëmijërisë të të rinjve Shqiptarë” gjeti se: Prevalenca e përgjithshme e dhunës fizike dhe seksuale gjatë 18 viteve të para të jetësishte respektivisht 41.5% dhe 6%. Rreth 30% e studentëve të intervistuar raportuan se gjatë fëmijërisë kanë qenë dëshmitarë të dhunës së ushtruar ndaj nënës së tyre. Rreth 40% e tyre kanë kanë qenë ngacmuar nga shokët dhe janë përfshirë në konflikte fizike gjatë fëmijërisë.
Shqipëria është një nga të 33 vendet që e ka plotësisht të ndaluar ndëshkimin fizik në kuadrin e saj ligjor. Ligji Nr. 10 347 Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve u miratua në 4 Nëntor të vitit  2010 dhe hyri në fuqi në Maj të vitit 2011. Sipas këtij ligji, ndëshkimi trupor i fëmijëve konsiderohet veprim i jashtëligjshëm edhe kur ushtrohet nga prindërit brenda familjes.
E gjithë kjo javë në fakt, është e dedikuar ndaj mbrojtjes së fëmijëve. 20 nëntori është cilësuar si Dita Universale e Fëmijëve, pikërisht për të rritur vëmendjen ndaj tyre.

martedì 19 novembre 2013

Hidhe në kosh, çdo ditë!

Pamje e Durresit

Pa dashur të tregohem e thartë në gjykim apo plan-prishëse, nisma “Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”, më tingëllon e njejtë me situatën “Të pastrojmë shtëpinë me themel në mëngjes, se kemi miq për drekë”. Duke thënë këtë, Zoti më ruajt nëse jam kundër, madje kam një jetë që “pastroj” qytetin tim, duke hedhur edhe biletën e autobusit urban, në koshin e plehrave, pasi kam mbaruar punë me të; duke parë vrëngër çdo banor të papërgjegjshëm që hedh vend e pa vend ndonjë mbeturinë që ka në dorë; apo duke bërtitur e zemëruar, atëherë kur ndonjë amvisë përtace dhe aspak e edukuar, nuk ka ngurruar të flakë nga ballkoni e poshtë, ndonjë qese me mbeturina. Në këtë kuptim e kam pastruar qytetin ku jetoj, ashtu sikurse jam e bindur, e ke pastruar edhe ti, ty që të dhemb sadopak ky qytet e që ke përzemër ta shohësh të pastër.
Por a mjafton? Absolutisht që jo, madje është shumë pak!
Nuk janë të pakta përçudnimet që i bëhen këtij qyteti në aspektin e ruajtjes pastër të ambjentit. Gjithkush që hedh të parën fjalë të ligë, a të parën sharje ndër dhëmbë, le të ndalet e të mendojë për një çast, se ku mund ta ketë hedhur shishen e vogël të ujit, një fletë të parëndësishme, apo letrën e çimçakizit, herën e fundit që ishte në rrugë.
Ke të drejtë! Ç’t’ju afrohesh koshave, ku kutërbon një erë e padurueshme, madje rrezikon të të dalë furishëm edhe ndonjë mace a qen i rrugës, në kërkim të ushqimit.
Nisma e para disa kohëve për të pajisur qytetin me kosha të rinj e të diferencuar, dështoi! As nam e as nishan nga koshat e bukur, me kapakë e të shkruara përmbi vete. Ata që ngelën, janë po ata që ishin aty. E megjithatë, hidhe në kosh, asgjë e keqe nuk do të të ndodhë!
Por, sikur të ishin deri këtu, problemet e këtij qyteti me pastërtinë. Duke lënë mënjanë detin, se ai është një tjetër histori, pastrimi i qytetit është shumë më i gjerë  se disa qytetarë, nxënës shkollash, a të rritur qofshin, që me vullnetin e tyre të mirë, dalin dhe mbledhin mbeturinat e këtij vendi.
Është e pavend që në një qytet që dukshëm është pis, të hiqemi sikur jemi të pastër.
Ky qytet vuan nga “kutërbimi” urban, mbi të gjitha nga indiferentizmi i “koshit bosh” e tokës përqark, plot. Këtij qyteti, më shumë se një nismë kombëtare, e nxitur nga të huajt, i duhet ndërgjegje publike, institucionale dhe qytetare, për të kuptuar që s’po bëjmë as më shumë e as më pak, se sa po mbajmë pastër rrugën ku shkelim përditë, ajrin që thithim, pamjen që shohim.
Ky qytet, nuk ka nevojë për emra absurd rrugësh si “Gjelbërimi” në mes të zonës së ish-Kënetës, ku ndesh në dhjetra grumbuj plehërash, por i lipset t’i pastrohen zonat më problematike, sikurse janë periferitë.
Ky qytet ka nevojë urgjente t’i japë një dorë të mirë pastrimi çdo sipërfaqeje muri, ku qendrojnë ende posterat e dy fushatave të fundit elektorale e po kështu edhe gjithfarë shkrimesh, parrullash, sharjesh që të lodhin sytë e mendjen; të vendosë kosha në afërsi të banesave, për të mos i “tunduar” kështu nga halli banorët, që të flakarojnë qesen e mbeturinave nga lart-poshtë.
Pusetat e hapura e pa kapakë të këtij qyteti, janë kthyer në kosha dytësorë, themelet e pallateve pa leje, të lënë përgjysmë, janë kthyer në moçale brenda në qytet, madje edhe pranë banesave. Të gjithë kalojmë pranë tyre e megjithatë zëri publik dhe ndërhyrja në to, është inekzistent.
Këtë qytet e ka mbytur edhe pluhuri nga mosreagimi, ka zënë myk nga amortizimi i godinave të Qendrës Kulturore, të Bibliotekës, të Pallatit të Kulturës, të shkollave publike; megjithatë gjithçka nis me atë letrën e vogël, e cila kur nuk na duhet më, e ka vendin në kosh.
Kështu, para se më 22 nëntor, të solidarizohemi me nismën “ Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”, duhet kuptuar që nuk mjafton një ditë që shtëpia të jetë e pastër. Këtë, duhet t’jua kërkojmë jo vetëm atyre që na e vjelin një taksë për këtë punë, por mbi të gjitha dimensionit tonë qytetar.

lunedì 18 novembre 2013

Media lokale – Durrësi, pak tituj në shtypin e shkruar në 100 vjet

Megjithëse i konsideruar ngahera si një prej qyteteve më të zhvilluara të Shqipërisë, në disa aspekte, kryesisht atë ekonomik dhe social, Durrësi, jo gjithmonë ka “shkëlqyer”, sa i përket mediatizimit të fenomeneve qytetare, ekonomike dhe shoqërore, në periudha të ndryshme. Arsyeja ka qenë media lokale shumë pak e zhvilluar, një problem, të cilin qyteti bregdetar, e ka ndeshur në epoka të ndryshme. Kanë qenë disa, faktorët që kanë ndikuar në lindjen dhe jetëgjatësinë e medias lokale e po kështu edhe në tiparët që ajo mori, në këto 100 vitet e fundit.
E lindur si nevojë për të bërë publike, ngjarje për të cilat mund të kishin interes një numër i madh njerëzish, mediat lokale të Durrësit, jo gjithmonë kanë funksionuar si të tilla, apo kanë pasur tiparet karakteristike të mediumeve.
Kështu, në fillimet e saj, media në Durrës, e cila përfaqësohej nga fletore të botuara (që nuk kishin karakter të mirfilltë të një gazete), nuk ishte media tërësisht lokale. “Shekulli i ri”, gazeta e përditshme e qytetit, e cila nisi botimin e saj në mesin e viteve ’20, nën drejtimin e Ilia Llavdës, kishte karakterin e një fletoreje e cila përmbante informacione të ndryshme, jo vetëm lokale.
Në studime të ndryshme dhe historikë të botuar mbi median në Shqipëri, “ Shekulli i Ri” figuron edhe si i pari periodik i rregullt i qytetit të Durrësit.
Studiuesja Flora Dervishi, në përpjekje për të dhënë një kornizë më të plotë të zhvillimit të medias lokale në Durrës, në një shekull, faktorë të ndryshëm, kanë ndikuar që botimet e karakterit periodik në qytet, të kenë pasur tiparet e tyre e po kështu edhe periodicitetin.
Sipas saj, historia e shtypit lokal, nuk duhet parë i ndarë nga historia dhe zhvillimi i letërsisë dhe publicistikës, pasi të dyja, janë dy fusha të cilat janë zhvilluar paralelisht. Pra nëse do të duam të kuptojmë sasinë dhe cilësinë e medias së shkruar në fillimet e saj, mjafton të hedhim vështrimin në historinë e zhvillet e letërsisë së qytetit. Kjo shpjegon se përse qyteti bregdetar, e nxori relativisht vonë, periodikun e tij të parë e po kështu edhe faktin se sa të paktë, kanë qenë ndër vite, organet e shtypit të shkruar në Durrës.
Në një vështrim të përgjithshëm, periudhat në të cilat mund të ndahet shtypi lokal, janë ajo pas Pavarësisë, koha e Mbretërisë, periudha e Luftës, regjimi dhe vitet e demokracisë.
Faktorët që kanë ndikuar në lindjen dhe zhvillim e mediave lokale në epoka të ndryshme, janë të lidhura ngushtësisht me zhvillimet e qytetit në aspekte të ndryshme. Për vetë natyrën e tij, një qytet i industrializuar, ku popullsia prirej të zhvillonte më së shumti tregëtinë, Durrësi i kushtoi një vëmendje jo fort të madhe, zhvillimit të fushave si letërsia apo publicistika. E njejta gjë nuk mund të thuhej për Shkodrën apo Elbasanin, të cilat në këtë periudhë patin një zhvillim të madh në aspektin letrar dhe publicistik.
“Pra, në atë periudhë, dukej sikur qytetet kishin krijuar profilet e tyre identifikuese dhe Durrësi, ndonese botonte një të përditshme informative cilësore sikurse ishte “Shekulli i Ri”, nuk hynte në qytetet që shquheshin për mediat e tyre lokale. Popullsia e qytetit bregdetar ishte më tepër e fokusuar në tregëti dhe industri”, thotë studiuesja Flora Dervishi.
E megjithatë, Durrësi vijoi të kishte median e tij lokale, pavarësisht intensitetit të botimit, apo edhe natyrës së tij.
Pas kësaj periudhe, në qytet nuk botohej një periodik i mirfilltë, por pamflete me natyrë tematike, të cilat nxirreshin me raste të festave apo lajmërimeve të rëndësishme, të cilat, ndonëse përcillnin informacion, nuk mund të klasifikoheshin në kuadrin e mediave.
“Adriatiku” ishte një tjetër botim periodik lokal, gjatë kohës së regjimit, i cili nisi botimin e tij në vitin 1967 për të vijuar deri në 1994. Tiparet e këtij periodiku, ishin në të njejtën linjë me gazetat e kohës, në funksion të regjimit dhe informacioni ishte i centralizuar. Megjithatë, sipas studiueses Dervishi, ajo ç’ka vlen për t’u përmendur në këtë periudhë, është mënyra e organizimit të informacionit dhe redaksive, pra aspekti teknik, pa prekur çështjen përmbajtësore.
Ardhja e demokracisë dhe rrëzimi i regjimit, i veshi medias një karakter pluralist dhe e ktheu atë tek qytetetari. Gazeta e parë lokale ishtë një “rimishërim” i “Shekullit të Ri”, një botim i cili mbante të njejtin emër, që u botua në fillim të shtatorit, të vitit 1991 e që zgjati vetëm 9 numra.
Titujt lokalë u pasuruan gjatë viteve, megjithatë ishin botime të paqëndrueshme, të cilat për motive të ndryshme, ku më kryesori ishte ai ekonomik, zgjasnin shumë pak. Të tillë kanë qenë “Durrësi biznes”, revista shkencore “Dyrrah”, një botim i natyrës letrare “Update” e të tjera.
Ndërkaq, vitet e fundit, qyteti i është rikthyer vrullshëm medias së shkruar, ku aktualisht në treg janë katër tituj lokalë, “Gazeta e Durrësit”; “Dyrrah”, “Bulevard” dhe “Investigimi”.

“Shekulli i Ri”, e para e përditshme lokale

Ajo u quajt fletore e përditshme dhe për periudhën kur u botua për herë të parë, në vitin 1924, ishte një ndër gazetat më të zhvilluara të kohës, një organ përfaqësues i qytetarisë dhe zhvillimeve në Durrës. Megjithatë, karakteri i informacioneve që pasqyroheshin në të, ishte jo vetëm lokal. Rubrika të ndryshme, informonin lexuesin durrsak të atyre viteve, mbi ngjarjet në qytete të ndryshme të Shqipërisë si edhe me lajme që ndodhnin nëpër botë.
Informacionet lokale, fokusoheshin kryesisht në aspekte të jetës qytetare, zhvillimeve politike dhe administrative të qytetit, në ndodhitë e kronikës së zezë dhe informacioneve që vinin nga Porti apo ndërmarrje të tjera të industrisë së kohës.
Interesantë ishte forma e paraqitjes së faqes së parë, prej së cilës, veç informacioneve kryesore në lidhje me adresën dhe botimin e fletores së përditshme, nuk përzgjidheshin medeomos informacione dhe artikuj që i përkisnin Durrësit, por ato ç’ka konsideroheshin si më të rëndësishmet, nga botuesit.
Po kështu, prirja që kishin sipërmarrës të ndryshëm të kohës, qofshin këta të mëdhenj a të vegjël, për të reklamuar biznesin e tyre, ishte një tjetër e veçantë e faqeve të “Shekullit të Ri”. Avokatë, tregëtare, industria e cigareve, të gjithë kishin një lajmërim, në formën e reklamës.
Kronika e zezë dhe lajmet “rozë”, kishin po kështu hapësirën e tyre.
Ajo ç’ka shihet nga kopjet e ruajtura në bibliotekën publike të qytetit, është fakti se informacioni në “Shekullin e Ri”, nuk ishte i organizuar në rubrika të caktuara, përveç ndarjes së lajmeve nga Durrësi, Shqipëria dhe bota.
Kjo e përditshme, ndaloi botimin e saj, në fillim të viteve ’30.

Artikulli që rrëfente preferencat e durrsakëve në vitet ’20 – ’30

Shtypi i periudhës 20-30 kishte tipare qytetare të theksuara. Në morinë e informacioneve të cilat paraqiteshin në faqet e gazetës “Shekulli i Ri”, kishte materiale të ndryshme, duke filluar që nga jeta qytetare, reklamime të shumta të bizneseve dhe sipërmarrjeve private, e po kështu, edhe histori “të kripura”. Një e tillë, është edhe një lajm i veçantë, si ky i paraqitur në foton shoqëruese. Lajmi i përket datës 17 nëntor të vitit 1928 dhe është i shkruar me një shqipe të pastandartizuar, e cila vërehet, në rregullat e ndryshme gramatikore, me shqipen e sotme.
“Ma shumë zijoshka martohen se bardhoshka”, ky informacion, i cili mbart tipart e një sondazhi për kohën, është shkruar shkurt, megjithatë mjaftueshëm për të dhënë një prirje të kohës, ndonëse vështirë të thuhet a ishte vërtetë një prirje, për aq kohë sa në artikullin e shkurtër nuk botohet as emër autori i studimit e as metoda studimore, veç faktit të kampionit të marrë dhe përfundimit.
Artikulli flet mbi mundësitë që kanë pasur vajzat zeshkane dhe bionde, për t’u pëlqyer nga meshkujt e për t’u konsideruar si bashkëshorte të ardhshme.
Sipas autorit të studimit, në 100 femra zeshkane, 77 prej tyre ishin të preferueshme për t’u marrë për bashkëshorte, ndërkohë që në 100 femra bardhoshe, vetëm 53 prej tyre, e kishin fatin të përzgjidheshin si bashkëshorte.
Në fund të lajmit, autori i tij, përmend edhe ujin e oksigjenuar, si metoda për t’u kthyer në bionde, që përdorej nga flokëzezat e kohës, ç’ka jo vetëm i shton dozat e simpatisë, lajmit, por në një farë mënyre, tregon edhe emancipimin e femrave durrsake të kohës dhe vëmendjen e tyre ndaj paraqitjes së jashtme.

Abetarja Shqipe 141 vjeçare e Kostandin Kristoforidhit

Ajo është ndër ato sende që nuk të bien shpesh në dorë për t’i parë, njohur apo lexuar. Ashtu e rrallë si është, ndër botimet e pakta që mund të jenë prodhuar në 1872, “Abetarja Shqipe” e Kostandin Kristoforidhit, mund të gjendet vetëm në Bibliotekën Kombëtare, apo edhe në bibliotekën e ndonjë qyteti dhe akoma shumë më rrallë, në bibliotekat personale apo koleksionet e sendeve të vjetra të ndonjë koleksionisti e bibliofilisti të apasionuar.
Një e tillë gjendet edhe në koleksionin personal të një prej njerëzve që më shumë se cilido tjetër, të mrekullon me fanatizmin që ju qendron sendeve të koleksionuara prej tij në vite.
Luan Jaupi është fotografi dhe koleksionisti durrsak, i cili në një hapësirë të shtëpisë së tij, ka grumbulluar objekte me vlerë të cilat datojnë që prej lashtësisë e deri në ditët tona. Një prej tyre, ajo që bie në sy për veçantinë e saj, është “Abetarja Shqipe” e Kostandin Kristoforidhit, e botuar në disa kopje, në 1872.
“Ky është një prej atyre botimeve të vyera që është pjesë e bilbiotekës së trashëguar nga gjyshi im, babai, e tani qendron në bibliotekën time. Është ndër të paktat botime origjinale të asaj periudhe, që ka arritur e plotë deri më sot”, tregon Luan Jaupi, i cili rrëfen se libri “i shenjtë” me të cilin  mësuan shqipen disa breza,jo vetëm është pjesë e bibliotekës së trashëguar prej tre brezash, por do të vazhdojë të trashëgohet.
Ndonëse e kanë kërkuar aq shumë ta përvetësojnë të tjerë, Jaupi, një i apasionuar pas studimit të gjuhëve, thotë se asnjë çmim, sado joshës të ketë qenë, nuk ka mundur t’ia prishë mendjen, aq sa për të hequr dorë nga kjo trashëgimi e vyer.
“Kjo është një prej atyre gjërave që nuk do ta shkëmbeja dot me asgjë tjetër, meqenëse në koleksionistët njihemi për shkëmbime të sendeve mes nesh. Shumë studiues e kanë parë, njerëz të ndryshëm janë ofruar ta blejnë, madje edhe të huaj, të apasionuar pas dokumenteve të rralla, por nuk e kam dhënë. Është ndër të paktat Abetare të realizuara nga Kristoforidhi në 1872, që i ka rezistuar kohës”, thotë Jaupi.
Abetarja me 30 faqe, me gërma arabe dhe latine
Abetarja Shqipe, e cila i ka mbushur plot 141 vjetët e ekzistencës së saj është ruajtur në një gjendje të përkryer, duke bërë që i vetmi faktor që ka ndikuar në këtë libër, të ketë qenë koha. Me fanatizmin më të madh ajo është ruajtur nga zotëruesit e saj dhe sot është lehtësisht e lexueshme nga të gjithë kuriozët që kanë dijeni për të.
Me përjashtim të kapakut të fundit, abetarja i ka të gjitha faqet. Është një libërth i vogël, fletët e zverdhura të të cilit të krijojnë në të njejtën kohë edhe idenë e brishtësisë, pasi të duket sikur do të shkëputen sapo i shfleton, por edhe idenë e rezistencës, kur mendon se ky doracak i shqipes, ka rezistuar plot një shekull e gjysmë.
Ndër fletët e para, dallohet lehtësisht titulli “Abetarja Shqipe” e Kostandin Kristoforidhit dhe po ashtu, edhe viti i botimit, 1872, ç’ka e bën dokumentin të marrë një vlerë të jashtëzakonshme.
Me këtë abetare kanë mësuar shkollat e para të shqipes, të cilat guxuan të çeleshin në një kohë, kur pushtimi otoman, ndonëse i lëkundur, nuk kish rënë ende plotësisht.
Abetarja çelet me alfabetin e gërmave latine, por edhe ato arabe. Shkrimi në brendi të saj është një shqipe e cila ndryshon prej standardit të përdorur sot, e megjithatë është lehtësisht e kuptueshme për këdo.
Teksit shoqërohet me figura dhe metoda e përdorur, nuk është ajo me të cilën jemi mësuar  të përvetësojmë dije prej abetareve të kohës sonë.
“Abetarja Shqipe” e Kostandin Kristoforidhit, botim i vitit 1872, të cilin e disponon koleksionisti dhe fotografi i njohur durrsak Luan Jaupi, është ndër të paktët botime origjinale të këtij lloji, që kanë mbërritur në ditët tona, mbi të gjitha të padëmtuara nga koha.
Ekspozimi për herë të parë
Në vitin 2008, me rastin e festive të nëntorit, Muzeu Historik KOmbëtar, vendosi të ekspozonte 50 dokumente të rralla, të cilat ishin të paekspozuara më parë, në një ekspozitë të titulluar “Udha e alfabetit shqiptar”. Alfabetet, abetaret e para shqipe dhe shkrimet e para në gjuhën tonë, u bënë pjesë e kësaj ekspozite, e cila tërhoqi shumë vizitorë, për shkak të veçantisë.
Bashkë me alfabetet me gërma latine, apo arabe, alfabetin e Stambollit, “Shkronjat e gjuhës shqipe”, nga Sami Frashëri, botuar në vitin 1886, “Abetari i vogël për Msoitore filltore” e vitit 1916 , u rendit edhe “Abetarja Shqipe” e Kostandin Kristoforidhi, botuar në vitin 1872. Të gjitha këto ekspozohen për herë të parë. Ishte hera e parë që në një institucion shqiptar ekspozoheshin aq shumë dokumente të kësaj fushe, sidomos duke u përqëndruar në udhën e ndjekur për shkrimin e gjuhës shqipe. Dokumentet origjinale janë shfrytëzuar nga studiues të ndryshëm të gjuhësisë apo të historisë, shqiptarë apo të huaj, por asnjëherë publiku nuk kish pasur mundësinë t’i shihte dhe njihte ato nga afër.
Luan Jaupi me Abetaren Shqipe



sabato 2 novembre 2013

"Missing", romani mbi njeriun e kohës sonë




Gjithçka e humbur mund të (mos) gjehet, gjithçka e gjetur mund të (mos) humbasë.
Një roman nga Bashkim Hoxha
Grozi, mund të jem unë, mund të jesh ti, mund të jemi të gjithë, sepse ashtu si ai, të gjithë flasim me vete, të gjithë flasim me kafshën e parë që na del përpara, jemi përpjekur, të paktën një herë të vetme, ta mendojmë veten si një kafshë mes shumë të tjerash në pyllin e së përditshmes tonë. Libri i ri i Bashkim Hoxhës mban titullin “Missing”, por më shumë se mungesa e dikujt, është një roman që duke shfletuar 190 faqet e tij, na kujton veten. Na kujton edhe autorin. Ata të cilët e njohin autorin Bashkim Hoxha, do ta konsideronin këtë, një roman pothuajse autobiografik.
Me gjithë elementët e ngjashëm me jetën e autorit, ky, më shumë se sa një autobiografi, është një roman për njeriun modern, njeriu që në pretendimin se ka humbur një gjë të çmuar për të, kupton thellë-thellë se ka humbur veten.
Personazhi që rrëfen historinë, është një djalosh i ri, Grozi. Është një javë nga jeta e tij, tetë ditë, secila me një motiv të ndryshëm, që barazon ditën me këngën. Rrëfimi nis me humbjen e Lorës, sepse sikurse thotë edhe vetë autori Hoxha, ky roman, nuk do të ishte shkruar i tillë, nëse Lora (qenihusky i autorit, i humbur para 4 vitesh) nuk do të kishte humbur. Humbja e Lorës e më tej mungesa e saj, e bëjnë autorin Bashkim Hoxha dhe personazhin e tij Grozi, të flasin, të rrëfejnë, të ndërtojnë një roman.
Janë disa linja paralele mbi të cilat rrjedhin ngjarjet. Niset me të tashmen, ku personazhi kryesor gjendet i vetëm përballë një kafshe, ariut, të cilin e ka rrëmbyer nga duart e atij që e shfrytëzonte dhe nis e i rrëfen kështu historinë e tij nga humbja e Lorës, në përpjekjet për ta gjetur, përjetimet, jetët e personazheve të tjerë. Përmes retrospektivës së ngjarjeve, kalohen kështu me radhë, histori të ndryshme.
Ka humbur njeriu, kafshën; kafsha, njeriun, apo njeriu, veten? A jemi më socialë, nëse zvogëlojmë largësitë mes njëri-tjetrit dhe shumfishojmë e zgjerojmë kanalet tona të komunikimit? Nëse konsumojmë fast-food, a bëjmë edhe fast-love? A bëhemi më individualë, në përpjekje për t’u globalizuar? Janë disa nga pyetjet që autori i ka shtruar gjatë shtjellimit të romanit e që përgjigjen mund t’ua jepni vetëm kur ta lexoni deri në fjalën e fundit.
Vetë autori, për shkak se marrëdhënia njeri-kafshë (pa dashur të jap unë një përcaktim se cili ishte njeriu dhe cili kafsha, sepse Lora përcillet edhe si kafshë, edhe si njeri), e ka vendosur këtë si linjën kryesore të ndërtimit të romanit. Titulli i librit është menduar jo pak herë të ishte “Njerëz dhe Kafshë”, mirëpo u vendos të ishte “Missing”, sepse në fund, romani i Bashkim Hoxhës, mund të përmblidhet në tri fjali: “Njëri ka humbur qenin; Tjetri ka humbur gruan; Një rrugëtim ku zbulohet se ka njerëz, që kanë humbur veten.”
Është një libër që zbërthen marrëdhëniet bashkëkohore edhe mes njeriut dhe parasë, njeriun dhe të shkuarën e tij që nuk e ndryshon dot, ndonëse blen emrin, veshjet, shtëpitë dhe të dashurat, një libër që e vë përballë njeriun me pasqyrën ku e sheh veten si forma origjinale e supozuar, kafshë.
Pas tre vitesh, autori Hoxha thotë se më në fund, arriti të “shtrydhë” një masë të madhe idesh, ndjesish, shkrimi dhe të finalizojë një produkt, i cili vërtetë “gllabërohet” si fast-information, por me shumë mundësi, është libri që përfaqëson një target të caktuar lexuesish. Mund të të përfaqësojë edhe ty!
Botim i Shtëpisë Botuese “Toena”, romani “Missing” i autorit Bashkim Hoxha do të promovohet në datën 8 nëntor në Durrës dhe 11 nëntor në Tiranë.
“Missing”, për vetminë, ekzistencializmin, humbjen e ndjesive dhe … gjithçka!
Bashkim Hoxha ka shkruar një roman për njeriun e ditëve të sotme. Personazhi i tij komunikon në shumë forma dhe mënyra, por mbetet vetëm në fund të ditës dhe sërish gjendet i vetëm, duke nisur një ditë të re. Nëse do të orientoheshim me “gjuhën” që autori ka përdorur në roman, për ta njohur më mirë, do të duhet të përdorim fjalët kyçe vetmia, njeriu, njeriu-kafsha, pylli, ekzistencializmi, koherenca, konsumizmi, ndjesia.
Janë pikërisht këto fjalët kyçe, zbërthimi i të cilave na çon drejt zbërthimit të “Missing”, ose gjetjes së “Missing”.
E gjithë historia është e rrëfyer nga një njeri i vetëm, një njeri i vetmuar, një njeri i cili jeton brenda vetmisë së tij, i shoqërizuar në njëmijë e një mënyra me të tjerë rreth e qark, por që mbetet thellësisht vetëm.
Fjalitë e tij janë të shkurtra, konçize, i gjithë shkrimi është pa ujra. Diku hiqet një paralele me ekzistencializmin, diku një tjetër, me absurdin. Ka pak “Metamorfoza” e Kafkës, pak “I huaji” i Kamysë dhe pak nga “Komedia Hyjnore” e Dante Aligerit, atëherë kur ndihen notat e pyllit alegorik.
Pastaj i rikthehet autorësisë së njeriut të ditëve tona, njeriut që dhuron lule prej fotografie në Facebook, që poston gjendjen shpirtërore po në Facebook, por ndërkohë, ka harruar se ç’pamje ka shiu dhe ç’ndjesi të krijon era.
Një roman bashkëkohor, që ndjek lexuesin
Gjatë bisedës me autorin Bashkim Hoxha, ai thotë se është kundër letërsisë e cila mbetet prapa në kohë. Ky roman, është dëshima se vetë autori ka dalë përtej kornizave të asaj letërsie, duke ndjekur rrugën e lexuesit, duke kuptuar atë ç’ka do lexuesi, atë që e tërheq, e mban atë të mbërthyer. Nuk mund t’i fliste lexuesit, veç se me gjuhën, me të cilën vetë ky lexues, komunikon në të përditshmen e tij. Kjo nuk e bën librin aspak të humbasë vlerat e tij si medium, sikurse është konsideruar ngahera, përkundrazi.
Emrat e personazheve janë emra të rinjsh të cilët i ndeshim në ditët e sotme, vendngjarjet janë bashkëkohore, facebook konsiderohet si vendngjarje, termat e përdorur janë terma me të cilat i flasim njëri-tjetrit sot, komunikojmë në chat, apo në të tjera mënyra virtuale të shkëmbimit të informacionit. “Missing” është një roman i shkëputur nga vitet tona të fundit, i update-uar me të rejat nga fusha e komunikimit, të vëna në funksion për të na komunikuar dilemat universale të njeriut, të cilat janë të pakoha.
Ndaj, duket sikur në një moment, lexuesi i flet vetes, gjen veten dhe projektohet pa shumë vështirësi, brenda personazhit të Grozit, mjafton vetëm të ketë pasur, njëhërë të vetme, afekt për një kafshë.
Ndonëse, gjatë leximit, lexuesit do të kuptojnë se autori është i mirinformuar mbi zhvillimet e fundit në fushën e komunikimit, kryesisht atë virtual, Bashkim Hoxha e ka këtë, si revoltë tijën karshi ngurtësimit të mënyrave të të shprehurit, gjë e imponuar nga komunikimi i shpejtë virtual.
“Missing” është padyshim një prej romaneve më përfaqësues të letërsisë bashkëkohore.