martedì 19 novembre 2013

Hidhe në kosh, çdo ditë!

Pamje e Durresit

Pa dashur të tregohem e thartë në gjykim apo plan-prishëse, nisma “Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”, më tingëllon e njejtë me situatën “Të pastrojmë shtëpinë me themel në mëngjes, se kemi miq për drekë”. Duke thënë këtë, Zoti më ruajt nëse jam kundër, madje kam një jetë që “pastroj” qytetin tim, duke hedhur edhe biletën e autobusit urban, në koshin e plehrave, pasi kam mbaruar punë me të; duke parë vrëngër çdo banor të papërgjegjshëm që hedh vend e pa vend ndonjë mbeturinë që ka në dorë; apo duke bërtitur e zemëruar, atëherë kur ndonjë amvisë përtace dhe aspak e edukuar, nuk ka ngurruar të flakë nga ballkoni e poshtë, ndonjë qese me mbeturina. Në këtë kuptim e kam pastruar qytetin ku jetoj, ashtu sikurse jam e bindur, e ke pastruar edhe ti, ty që të dhemb sadopak ky qytet e që ke përzemër ta shohësh të pastër.
Por a mjafton? Absolutisht që jo, madje është shumë pak!
Nuk janë të pakta përçudnimet që i bëhen këtij qyteti në aspektin e ruajtjes pastër të ambjentit. Gjithkush që hedh të parën fjalë të ligë, a të parën sharje ndër dhëmbë, le të ndalet e të mendojë për një çast, se ku mund ta ketë hedhur shishen e vogël të ujit, një fletë të parëndësishme, apo letrën e çimçakizit, herën e fundit që ishte në rrugë.
Ke të drejtë! Ç’t’ju afrohesh koshave, ku kutërbon një erë e padurueshme, madje rrezikon të të dalë furishëm edhe ndonjë mace a qen i rrugës, në kërkim të ushqimit.
Nisma e para disa kohëve për të pajisur qytetin me kosha të rinj e të diferencuar, dështoi! As nam e as nishan nga koshat e bukur, me kapakë e të shkruara përmbi vete. Ata që ngelën, janë po ata që ishin aty. E megjithatë, hidhe në kosh, asgjë e keqe nuk do të të ndodhë!
Por, sikur të ishin deri këtu, problemet e këtij qyteti me pastërtinë. Duke lënë mënjanë detin, se ai është një tjetër histori, pastrimi i qytetit është shumë më i gjerë  se disa qytetarë, nxënës shkollash, a të rritur qofshin, që me vullnetin e tyre të mirë, dalin dhe mbledhin mbeturinat e këtij vendi.
Është e pavend që në një qytet që dukshëm është pis, të hiqemi sikur jemi të pastër.
Ky qytet vuan nga “kutërbimi” urban, mbi të gjitha nga indiferentizmi i “koshit bosh” e tokës përqark, plot. Këtij qyteti, më shumë se një nismë kombëtare, e nxitur nga të huajt, i duhet ndërgjegje publike, institucionale dhe qytetare, për të kuptuar që s’po bëjmë as më shumë e as më pak, se sa po mbajmë pastër rrugën ku shkelim përditë, ajrin që thithim, pamjen që shohim.
Ky qytet, nuk ka nevojë për emra absurd rrugësh si “Gjelbërimi” në mes të zonës së ish-Kënetës, ku ndesh në dhjetra grumbuj plehërash, por i lipset t’i pastrohen zonat më problematike, sikurse janë periferitë.
Ky qytet ka nevojë urgjente t’i japë një dorë të mirë pastrimi çdo sipërfaqeje muri, ku qendrojnë ende posterat e dy fushatave të fundit elektorale e po kështu edhe gjithfarë shkrimesh, parrullash, sharjesh që të lodhin sytë e mendjen; të vendosë kosha në afërsi të banesave, për të mos i “tunduar” kështu nga halli banorët, që të flakarojnë qesen e mbeturinave nga lart-poshtë.
Pusetat e hapura e pa kapakë të këtij qyteti, janë kthyer në kosha dytësorë, themelet e pallateve pa leje, të lënë përgjysmë, janë kthyer në moçale brenda në qytet, madje edhe pranë banesave. Të gjithë kalojmë pranë tyre e megjithatë zëri publik dhe ndërhyrja në to, është inekzistent.
Këtë qytet e ka mbytur edhe pluhuri nga mosreagimi, ka zënë myk nga amortizimi i godinave të Qendrës Kulturore, të Bibliotekës, të Pallatit të Kulturës, të shkollave publike; megjithatë gjithçka nis me atë letrën e vogël, e cila kur nuk na duhet më, e ka vendin në kosh.
Kështu, para se më 22 nëntor, të solidarizohemi me nismën “ Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”, duhet kuptuar që nuk mjafton një ditë që shtëpia të jetë e pastër. Këtë, duhet t’jua kërkojmë jo vetëm atyre që na e vjelin një taksë për këtë punë, por mbi të gjitha dimensionit tonë qytetar.

Nessun commento:

Posta un commento