Ajo është ndër ato sende që nuk të bien shpesh në dorë për t’i parë, njohur apo lexuar. Ashtu e rrallë si është, ndër botimet e pakta që mund të jenë prodhuar në 1872, “Abetarja Shqipe” e Kostandin Kristoforidhit, mund të gjendet vetëm në Bibliotekën Kombëtare, apo edhe në bibliotekën e ndonjë qyteti dhe akoma shumë më rrallë, në bibliotekat personale apo koleksionet e sendeve të vjetra të ndonjë koleksionisti e bibliofilisti të apasionuar.
Një e tillë gjendet edhe në koleksionin personal të një prej njerëzve që më shumë se cilido tjetër, të mrekullon me fanatizmin që ju qendron sendeve të koleksionuara prej tij në vite.
Luan Jaupi është fotografi dhe koleksionisti durrsak, i cili në një hapësirë të shtëpisë së tij, ka grumbulluar objekte me vlerë të cilat datojnë që prej lashtësisë e deri në ditët tona. Një prej tyre, ajo që bie në sy për veçantinë e saj, është “Abetarja Shqipe” e Kostandin Kristoforidhit, e botuar në disa kopje, në 1872.
“Ky është një prej atyre botimeve të vyera që është pjesë e bilbiotekës së trashëguar nga gjyshi im, babai, e tani qendron në bibliotekën time. Është ndër të paktat botime origjinale të asaj periudhe, që ka arritur e plotë deri më sot”, tregon Luan Jaupi, i cili rrëfen se libri “i shenjtë” me të cilin mësuan shqipen disa breza,jo vetëm është pjesë e bibliotekës së trashëguar prej tre brezash, por do të vazhdojë të trashëgohet.
Ndonëse e kanë kërkuar aq shumë ta përvetësojnë të tjerë, Jaupi, një i apasionuar pas studimit të gjuhëve, thotë se asnjë çmim, sado joshës të ketë qenë, nuk ka mundur t’ia prishë mendjen, aq sa për të hequr dorë nga kjo trashëgimi e vyer.
“Kjo është një prej atyre gjërave që nuk do ta shkëmbeja dot me asgjë tjetër, meqenëse në koleksionistët njihemi për shkëmbime të sendeve mes nesh. Shumë studiues e kanë parë, njerëz të ndryshëm janë ofruar ta blejnë, madje edhe të huaj, të apasionuar pas dokumenteve të rralla, por nuk e kam dhënë. Është ndër të paktat Abetare të realizuara nga Kristoforidhi në 1872, që i ka rezistuar kohës”, thotë Jaupi.
Abetarja me 30 faqe, me gërma arabe dhe latine
Abetarja Shqipe, e cila i ka mbushur plot 141 vjetët e ekzistencës së saj është ruajtur në një gjendje të përkryer, duke bërë që i vetmi faktor që ka ndikuar në këtë libër, të ketë qenë koha. Me fanatizmin më të madh ajo është ruajtur nga zotëruesit e saj dhe sot është lehtësisht e lexueshme nga të gjithë kuriozët që kanë dijeni për të.
Me përjashtim të kapakut të fundit, abetarja i ka të gjitha faqet. Është një libërth i vogël, fletët e zverdhura të të cilit të krijojnë në të njejtën kohë edhe idenë e brishtësisë, pasi të duket sikur do të shkëputen sapo i shfleton, por edhe idenë e rezistencës, kur mendon se ky doracak i shqipes, ka rezistuar plot një shekull e gjysmë.
Ndër fletët e para, dallohet lehtësisht titulli “Abetarja Shqipe” e Kostandin Kristoforidhit dhe po ashtu, edhe viti i botimit, 1872, ç’ka e bën dokumentin të marrë një vlerë të jashtëzakonshme.
Me këtë abetare kanë mësuar shkollat e para të shqipes, të cilat guxuan të çeleshin në një kohë, kur pushtimi otoman, ndonëse i lëkundur, nuk kish rënë ende plotësisht.
Abetarja çelet me alfabetin e gërmave latine, por edhe ato arabe. Shkrimi në brendi të saj është një shqipe e cila ndryshon prej standardit të përdorur sot, e megjithatë është lehtësisht e kuptueshme për këdo.
Teksit shoqërohet me figura dhe metoda e përdorur, nuk është ajo me të cilën jemi mësuar të përvetësojmë dije prej abetareve të kohës sonë.
“Abetarja Shqipe” e Kostandin Kristoforidhit, botim i vitit 1872, të cilin e disponon koleksionisti dhe fotografi i njohur durrsak Luan Jaupi, është ndër të paktët botime origjinale të këtij lloji, që kanë mbërritur në ditët tona, mbi të gjitha të padëmtuara nga koha.
Ekspozimi për herë të parë
Në vitin 2008, me rastin e festive të nëntorit, Muzeu Historik KOmbëtar, vendosi të ekspozonte 50 dokumente të rralla, të cilat ishin të paekspozuara më parë, në një ekspozitë të titulluar “Udha e alfabetit shqiptar”. Alfabetet, abetaret e para shqipe dhe shkrimet e para në gjuhën tonë, u bënë pjesë e kësaj ekspozite, e cila tërhoqi shumë vizitorë, për shkak të veçantisë.
Bashkë me alfabetet me gërma latine, apo arabe, alfabetin e Stambollit, “Shkronjat e gjuhës shqipe”, nga Sami Frashëri, botuar në vitin 1886, “Abetari i vogël për Msoitore filltore” e vitit 1916 , u rendit edhe “Abetarja Shqipe” e Kostandin Kristoforidhi, botuar në vitin 1872. Të gjitha këto ekspozohen për herë të parë. Ishte hera e parë që në një institucion shqiptar ekspozoheshin aq shumë dokumente të kësaj fushe, sidomos duke u përqëndruar në udhën e ndjekur për shkrimin e gjuhës shqipe. Dokumentet origjinale janë shfrytëzuar nga studiues të ndryshëm të gjuhësisë apo të historisë, shqiptarë apo të huaj, por asnjëherë publiku nuk kish pasur mundësinë t’i shihte dhe njihte ato nga afër.
Luan Jaupi me Abetaren Shqipe |
Nessun commento:
Posta un commento