sabato 12 aprile 2014

Ky shtet që dhunon gazetarët

Është rasti i dytë brenda një kohe të shkurtër që ndihem e kërcënuar në profesionin tim. Për fatin tonë të mirë a të keq, shpesh, ne gazetarëve, na bie barra jo vetëm të informojmë publikun, qytetarin, por nga ana tjetër të bëhemi edhe përfaqësues i tyre, pasi me patjetër duhet t’i bëjmë ata “të pranishëm” përmes raportimeve tona, në ngjarje për të cilat nuk kanë mundësi të jenë fizikisht.
Në vetëm 7 muaj ekzistencë, kjo qeveri e cila erdhi nën trumbetimet bëmë-mëdha  të ndryshimeve apokaliptike në këtë vend, na ka dhënë një spektakël të pashembullt që ka zëvendësuar çdo format televiziv argëtues dhe jo vetëm.
Dëshmitarë të një imazhi publik që nis nga fotografimi i kryeministrit nga poshtë-lart (tregues i supermacisë) e deri te çelja e zyrave të punës si ajo e Kavajës që rri e mbyllur, na duhet, sëfundmi, të bëhemi edhe dëshmitarë se si dhunohet jo vetëm profesioni ynë, por edhe individi i profesionit gazetar.
Dhunohen e vriten gazetarët, realitet jo i padëgjuar për veshët tanë, por…..në Afganistan, në Siri, në një vend të botës ku prodhohet kaos çdo ditë, ku rendi është anarkik, por jo në një vend që aspiron BE-në. Të dhunosh sot një gazetar në Shqipëri, tregon jo vetëm që nuk kemi media të lirë (përtej gjithë faktorëve të tjerë që kanë mbërthyer median dhe janë mbërthyer prej saj), por nga ana tjetër është tregues i qartë i instalimit të një rendi, të cilin shqiptarët e kishin lënë pas në kohë.
Javë më parë, fotoreporterit Hamza Hatika i është ndaluar të fotografojë, të bëjë punën e tij, në ambjentet e Parlamentit, gjatë zhvillimit të seancës plenare të radhës. Arsyeja? Kolazhi me fotografi i kryeministrit në gjendje të tensionuar.
Sot, gjatë protestave të shqiptarëve për vrasjen e Ilia Karelit, shqiptarit që humbi jetën në burgjet e Greqisë, i dhunuar për vdekje, një tjetër gazetar bie pre e dhunës së shtetit. Gazetari i të përditshmes “Panorama” ka qenë duke fotografuar policët të cilët kishin mbërthyer një qytetar dhe e rrihnin me shkopa gome. Ja çfarë shkruan ai në një reagim tijin në profilin e FB:
“Për llogari të gazetës ku punoj fotografova një furgon policie brenda të cilit ndodhej një prej protestuesve të shoqëruar në Rrugën e Kavajës, i cili po dhunohej keqazi me shkopa gome (dukej lehtësisht nga jashtë). Ç’më ndodhi???
Me të zbritur nga furgoni, policët me shkopa gome në duar duke përdorur forcën me detyruan të futesha brenda rrethimit të Komisariatit nr.2. Nën kërcëmime dhe fyerje me detyruan të fshija fotot, ndërkohë që dy prej tyre kërkonin me ngulm të më fusnin brenda në komisariat. Në qafë kisha të varur kartën e gazetarit dhe ua thashë disa herë se çfarë profesioni kisha. Por mu përgjigjën se “nuk je bërë ti t’na fusësh në burg, se të zhdukim fare”.
Nuk jam bërë e as nuk dua t’i fus burg në fakt. Ama, e them me plot gojën, që ME ERDHI TURP që jetoj në Shqipëri. Të dashur miq, nuk e kuptova nëse kisha të bëja me efektivë të Policisë së Shtetit, apo me miq të gardianëve grekë…”
Sot, një tjetër gazetar u dhunua dhe nesër, nuk është çudi që të dhunohet sërish një tjetër. Veç frikës së pasqyrimit të realitetit, ky shtet sot tregoi se është i aftë të kontrollojë haptazi një media, duke njollosur me turp, pretendimet e tij për demokraci.
Botuar ne www.gazetaedurresit.com

giovedì 16 gennaio 2014

Për të mirën tonë, t'i japim fund!


Fillimi i 2014 ka qenë një ogur jo i mirë për qytetin e Durrësit, i cili brenda dy javëve të para të këtij viti të ri, është tronditur disa herë nga rastet e dhunës, kryesisht asaj në familje. Viktima më e shpeshtë e kësaj dhunë është femra e familjes, gruaja.
Rasti i bujshëm i Vojsava Arapit ishte kulmi i një serie krimesh të kësaj natyre që ndodhin thuajse çdo ditë – të raportuara nga femra të guximshme, të cilave zemërimi ju ka arritur aty ku nuk mban më, por edhe sa e sa raste të paraportuara, nga gra e vajza që i tremben opinionit, nuk kanë besim se problemi i tyre do të marrë zgjidhje apo thjesht nuk kanë mundësi të jetojnë të shkëputura nga bashkëshortët e tyre dhunues.
Sepse nuk ishte një rast si të gjithë të tjerët ai i Vojsavës, ndaj bëri bujë; sepse kësaj radhe nuk ishte vetëm një bashkëshort dhunues e përçudnues, por edhe një bir, ç’ka do të thotë se modeli i patriarkut dhunues është trashëguar edhe në brezin që po rritet.
Para dhe pas këtij – për të mbërritur në rastin më të fundit, dhunimin nënë e bijë nga bashkëshorti, babai i familjes – një sërë urdhërash mbrojtjeje janë lëshuar për të mbrojtur gratë, vajzat  dhe fëmijët e dhunuar nga agresori, i cili në të kundërt me ç’mund të diktojë çdo arsye e shëndoshë, është pjestari i familjes.
Pavarësisht sensibilizimeve të herë pas hershme, dhuna në familje nuk ka të ndalur, as ajo psikologjike, verbale e aq më pak ajo fizike. Duket se është pjellë e mbartur, e cila gjenerohet ndër breza, e ushqyer nga disa faktorë: ekonomikë, socialë, madje shpesh ushqehet edhe nga vetë familja.
Jo më larg se në muajin dhjetor, kryeministri Rama tha se për viktimat e dhunës në familje do të ofrohej ndihma ligjore falas, kurse ndihma ekonomike për familjet në nevojë do të tërhiqej nga gratë, dukë qenë se meshkujt ishin të prirur ta shpenzonin këtë ndihmë jo në dobi të familjes. Në Durrës, nuk është më e  pazakontë që ndihma ekonomike për familjet në nevojë të shpërndahet me vonesë, duke bërë që familje të cilat nuk kanë asnjë të ardhur tjetër, të privohen edhe nga kjo. Aktualisht, dhënia e kësaj ndihmë është me vonesë një muaj. Nuk dihet nëse kryeministri ka dijeni për këtë.
Në kushtet e mungesës së kësaj ndihme për të tilla familje, problemet e ndryshme me të cilat përballen,  i bëjnë dhunuesit e heshtur brenda saj, të kenë një arsye më shumë për të shpërthyer në veprim konkret, keqbërje ndaj personave të afërt, grave të familjes.
Teksa rastet sa vijnë e shtohen, korniza brenda së cilës zhvillohet e gjitha, ka krisjet e saj. Një kuadër ligjor deri diku i plotë, por jo fort mirë i zbatueshëm deri në dhënien e dënimit për agresorët; një shoqëri thellësisht patriarkale që nuk dënon mashkullin dhunues, porse legjitimon dhunën kur ajo kryeht nga “i zoti i shtëpisë”, një mentalitet diskriminues ndaj femrës së dhunuar e aq më tepër ndaj asaj që rebelohet ndaj dhunuesit të saj, mungesa shpesh e pavarësisë ekonomike dhe zhvillimi intelektual i vetë femrave në zona të caktuara, janë disa nga faktorët ushqyes të këtij fenomeni. Por, duhet ndaluar menjëherë. Për të mirën tonë, i duhet dhënë fund.

martedì 24 dicembre 2013

Bam’ mirësi apo mirëdukje?

Ditëve të festave, cilatdo qofshin ato, ajo që më habit akoma- madje çuditem me veten- është “dashamirësia” dhe “ndjeshmëria” që karakterizon shumicën prej nesh. Bëhemi papritur më solidarë se asnjëhërë me hallin e tjetrit, më fëmijën e tjetrit, më shtëpinë e tjetrit, a thua se ky tjetri, bashkë me gjithë barrën e mundimeve të veta TË PËRDITSHME, mbiu nga hiçi atë prag Krishtlindjesh, apo cilësdo festë.
Në fakt, ai tjetri nga i cili po kthejmë sytë  në emër të ndjeshmërisë festive, ka qenë aty prej kohësh, ka shtrirë dorën e tij çdo ditë, barkun e ka pasur po aq pak të mbushur dhe këmbët, po aq të zbathura sa sot, në ditën kur ne kemi vendosur të bëjmë bamirësinë ndaj tij, ose thjesht të reklamojmë veten.
Nuk dua të dyshoj aspak të zemërgjerësinë e atyre që sensibilizohen në prag festash a ditësh të shënuara dhe kontribuojnë që ashtu sikurse ata, të festojnë edhe njerëzit që nuk munden. E në fakt, nuk dyshoj, atëherë kur bëhet fjalë për njerëz të thjeshtë, të cilët ndonëse vullnetin e kanë shumë të madh, xhepat i kanë shumë të vegjël, aq sa zor të përballojnë shpenzimet e tyre, jo t’ju teprojë për t’ua dhënë atyre që nuk kanë. Ndaj vendosin që të dhurojnë në ditë festash.
Ama, dyshoj në zemërgjerësinë e pushtetarëve që dhurojnë ushqime për të pastrehët  që s’skanë ku të fusin kokën; lodra për fëmijët që s’kanë kopshte e aq më pak kushte trajnimi, kur vjen puna tek ata me aftësi të kufizuara.  Është ndoshta hipokrizia më e madhe e gjithë atmosferës festive, ky teatër i pashembullt, i sajuar vetëm për të fituar pikë në imazh.
Fëmijë që u vidhet fëmijëria e vriten rrugve duke lypur, të moshuar që s’kanë ku të fusin kokën, pensionistë që punuan për këtë vend e tani nuk marrin as më të voglën ndihmë, janë realitet i njohur për të gjithë, aq më shumë për ata që na qeverisin.
Akoma edhe më shumë dyshoj, kur pas bamirësit vjen një radhë e gjatë njerëzish po kaq të përkushtuar, për të dhuruar, për të falur ngrohtësi tek nevojtarët, madje, madje edhe për të bërë fotografi, shumë fotografi, mundësisht duke pozuar, sepse duhen postuar në rrjete sociale. Nëse nuk i poston, s’ke bërë bamirësi fare, madje një mendje e mbrapshtë do mendonte së bamirësia në kësi rastesh, ndaj bëhët, për t’u rrëfyer publikisht , ndryshe zëre se nuk e kë bërë.
Të jesh filantrop është një gjë, të jesh bamirës me kohë të pjesshme është diçka tjetër. Në këtë të fundit, të jesh bamirës me kohë të pjesshme për shkak të kushteve që ke, është një gjë dhe të jesh bamirës me kohë të pjesshme se ashtu ta kërkon detyra, është një gjë tjetër.
Mbi të gjitha këto, qendron respekti për figurën njerëzore, pikërisht për atë tjetrin, të cilin e shohim, duam ta shohim vetëm me raste festash. Nëse ai ka nevojë për mua, për ty, për atë që na qeveris, të jemi të sigurtë që dita e festës është më e pakta ditë në të cilën do të na shohë fytyrën, ndoshta s’ka qejf as të dalë fotografi, sepse sigurisht e di që ai, në të gjithë këtë “hajde-dhurojmë-ndonjëgjë-së-është-festë”, është i fundit që fiton, madje me të ikur ne, do të jetë po njësoj e do të na presë, ndoshta, në festën e radhës.

mercoledì 20 novembre 2013

OBSH: 41.5% e fëmijëve dhe adoleshentëve shqiptarë pësojnë dhunë fizike

19 nëntori është përcaktuar si Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Fëmijëve. Ky fenomen konsiderohet një problem madhor i shëndetit publik kudo në botë dhe me pasoja të rënda për gjatë gjithë jetës së fëmijëve të dhunuar. Me gjithë ndërgjegjësimet, fushatat, apo më tej edhe ligjet e miratuara në shumë vende të botës, dhuna ndaj fëmijëve  është një dukuri e cila vazhdon të ekzistojë. Ndaj kjo datë është përcaktuar botërisht për të rritur ndërgjegjësimin e individëve, komuniteteve, shoqërisë dhe strukturave shtetërore për të parandaluar dhe ndaluar këtë fenomen.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, ndonëse në Shqipëri rastet e dhunimit të fëmijëve janë ende pak të raportuara, studimet e kryera në këtë fushë kanë treguar për një prevalencë të lartë të këtij fenomeni. Kështu, sipas një studimi të realizuar nga UNICEF në vitin 2006, pjesa më e madhe e të rriturve besonin se dhuna fizike dhe psikologjike ka efekte pozitive në edukimin e fëmijëve edhe pse ishin gjithashtu të ndërgjegjshëm për pasojat negative të saj.
Sipas të dhënave të studimit, format më të përhapura të dhunës psikologjike kundrejt fëmijëve në shtëpi ishin: të bërtiturat (95.3%), fyerjet (39.5 %), kërcënimet (39.0 %), përdorimi i epiteteve denigruese dhe nofkave (35.8 %), kanosje me një objekt (18.0 %). Ndërsa format kryesore të dhunës fizike të raportuara nga fëmijet në shkollë/ shtëpi përgjatë vitit të fundit ishin: tërheqje e veshit (60.1%/38.5%), pickimi (55.7%/36.9%), goditja me një objekt (53.0%/51.8%), gjuajtja me shpullë (në fytyrë dhe në trup) (52.6%/34.3%), në kokë (49.2%/35.6%), shkulje flokësh (41%/29.7%), tërheqje me forcë dhe shtyrje (34.6%/39.1%); goditje me shkelma (26.8%/25.8 %).
Studimi i OBSH i vitit 2012 mbi “Përvojat negative gjatë fëmijërisë të të rinjve Shqiptarë” gjeti se: Prevalenca e përgjithshme e dhunës fizike dhe seksuale gjatë 18 viteve të para të jetësishte respektivisht 41.5% dhe 6%. Rreth 30% e studentëve të intervistuar raportuan se gjatë fëmijërisë kanë qenë dëshmitarë të dhunës së ushtruar ndaj nënës së tyre. Rreth 40% e tyre kanë kanë qenë ngacmuar nga shokët dhe janë përfshirë në konflikte fizike gjatë fëmijërisë.
Shqipëria është një nga të 33 vendet që e ka plotësisht të ndaluar ndëshkimin fizik në kuadrin e saj ligjor. Ligji Nr. 10 347 Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve u miratua në 4 Nëntor të vitit  2010 dhe hyri në fuqi në Maj të vitit 2011. Sipas këtij ligji, ndëshkimi trupor i fëmijëve konsiderohet veprim i jashtëligjshëm edhe kur ushtrohet nga prindërit brenda familjes.
E gjithë kjo javë në fakt, është e dedikuar ndaj mbrojtjes së fëmijëve. 20 nëntori është cilësuar si Dita Universale e Fëmijëve, pikërisht për të rritur vëmendjen ndaj tyre.

martedì 19 novembre 2013

Hidhe në kosh, çdo ditë!

Pamje e Durresit

Pa dashur të tregohem e thartë në gjykim apo plan-prishëse, nisma “Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”, më tingëllon e njejtë me situatën “Të pastrojmë shtëpinë me themel në mëngjes, se kemi miq për drekë”. Duke thënë këtë, Zoti më ruajt nëse jam kundër, madje kam një jetë që “pastroj” qytetin tim, duke hedhur edhe biletën e autobusit urban, në koshin e plehrave, pasi kam mbaruar punë me të; duke parë vrëngër çdo banor të papërgjegjshëm që hedh vend e pa vend ndonjë mbeturinë që ka në dorë; apo duke bërtitur e zemëruar, atëherë kur ndonjë amvisë përtace dhe aspak e edukuar, nuk ka ngurruar të flakë nga ballkoni e poshtë, ndonjë qese me mbeturina. Në këtë kuptim e kam pastruar qytetin ku jetoj, ashtu sikurse jam e bindur, e ke pastruar edhe ti, ty që të dhemb sadopak ky qytet e që ke përzemër ta shohësh të pastër.
Por a mjafton? Absolutisht që jo, madje është shumë pak!
Nuk janë të pakta përçudnimet që i bëhen këtij qyteti në aspektin e ruajtjes pastër të ambjentit. Gjithkush që hedh të parën fjalë të ligë, a të parën sharje ndër dhëmbë, le të ndalet e të mendojë për një çast, se ku mund ta ketë hedhur shishen e vogël të ujit, një fletë të parëndësishme, apo letrën e çimçakizit, herën e fundit që ishte në rrugë.
Ke të drejtë! Ç’t’ju afrohesh koshave, ku kutërbon një erë e padurueshme, madje rrezikon të të dalë furishëm edhe ndonjë mace a qen i rrugës, në kërkim të ushqimit.
Nisma e para disa kohëve për të pajisur qytetin me kosha të rinj e të diferencuar, dështoi! As nam e as nishan nga koshat e bukur, me kapakë e të shkruara përmbi vete. Ata që ngelën, janë po ata që ishin aty. E megjithatë, hidhe në kosh, asgjë e keqe nuk do të të ndodhë!
Por, sikur të ishin deri këtu, problemet e këtij qyteti me pastërtinë. Duke lënë mënjanë detin, se ai është një tjetër histori, pastrimi i qytetit është shumë më i gjerë  se disa qytetarë, nxënës shkollash, a të rritur qofshin, që me vullnetin e tyre të mirë, dalin dhe mbledhin mbeturinat e këtij vendi.
Është e pavend që në një qytet që dukshëm është pis, të hiqemi sikur jemi të pastër.
Ky qytet vuan nga “kutërbimi” urban, mbi të gjitha nga indiferentizmi i “koshit bosh” e tokës përqark, plot. Këtij qyteti, më shumë se një nismë kombëtare, e nxitur nga të huajt, i duhet ndërgjegje publike, institucionale dhe qytetare, për të kuptuar që s’po bëjmë as më shumë e as më pak, se sa po mbajmë pastër rrugën ku shkelim përditë, ajrin që thithim, pamjen që shohim.
Ky qytet, nuk ka nevojë për emra absurd rrugësh si “Gjelbërimi” në mes të zonës së ish-Kënetës, ku ndesh në dhjetra grumbuj plehërash, por i lipset t’i pastrohen zonat më problematike, sikurse janë periferitë.
Ky qytet ka nevojë urgjente t’i japë një dorë të mirë pastrimi çdo sipërfaqeje muri, ku qendrojnë ende posterat e dy fushatave të fundit elektorale e po kështu edhe gjithfarë shkrimesh, parrullash, sharjesh që të lodhin sytë e mendjen; të vendosë kosha në afërsi të banesave, për të mos i “tunduar” kështu nga halli banorët, që të flakarojnë qesen e mbeturinave nga lart-poshtë.
Pusetat e hapura e pa kapakë të këtij qyteti, janë kthyer në kosha dytësorë, themelet e pallateve pa leje, të lënë përgjysmë, janë kthyer në moçale brenda në qytet, madje edhe pranë banesave. Të gjithë kalojmë pranë tyre e megjithatë zëri publik dhe ndërhyrja në to, është inekzistent.
Këtë qytet e ka mbytur edhe pluhuri nga mosreagimi, ka zënë myk nga amortizimi i godinave të Qendrës Kulturore, të Bibliotekës, të Pallatit të Kulturës, të shkollave publike; megjithatë gjithçka nis me atë letrën e vogël, e cila kur nuk na duhet më, e ka vendin në kosh.
Kështu, para se më 22 nëntor, të solidarizohemi me nismën “ Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”, duhet kuptuar që nuk mjafton një ditë që shtëpia të jetë e pastër. Këtë, duhet t’jua kërkojmë jo vetëm atyre që na e vjelin një taksë për këtë punë, por mbi të gjitha dimensionit tonë qytetar.

lunedì 18 novembre 2013

Media lokale – Durrësi, pak tituj në shtypin e shkruar në 100 vjet

Megjithëse i konsideruar ngahera si një prej qyteteve më të zhvilluara të Shqipërisë, në disa aspekte, kryesisht atë ekonomik dhe social, Durrësi, jo gjithmonë ka “shkëlqyer”, sa i përket mediatizimit të fenomeneve qytetare, ekonomike dhe shoqërore, në periudha të ndryshme. Arsyeja ka qenë media lokale shumë pak e zhvilluar, një problem, të cilin qyteti bregdetar, e ka ndeshur në epoka të ndryshme. Kanë qenë disa, faktorët që kanë ndikuar në lindjen dhe jetëgjatësinë e medias lokale e po kështu edhe në tiparët që ajo mori, në këto 100 vitet e fundit.
E lindur si nevojë për të bërë publike, ngjarje për të cilat mund të kishin interes një numër i madh njerëzish, mediat lokale të Durrësit, jo gjithmonë kanë funksionuar si të tilla, apo kanë pasur tiparet karakteristike të mediumeve.
Kështu, në fillimet e saj, media në Durrës, e cila përfaqësohej nga fletore të botuara (që nuk kishin karakter të mirfilltë të një gazete), nuk ishte media tërësisht lokale. “Shekulli i ri”, gazeta e përditshme e qytetit, e cila nisi botimin e saj në mesin e viteve ’20, nën drejtimin e Ilia Llavdës, kishte karakterin e një fletoreje e cila përmbante informacione të ndryshme, jo vetëm lokale.
Në studime të ndryshme dhe historikë të botuar mbi median në Shqipëri, “ Shekulli i Ri” figuron edhe si i pari periodik i rregullt i qytetit të Durrësit.
Studiuesja Flora Dervishi, në përpjekje për të dhënë një kornizë më të plotë të zhvillimit të medias lokale në Durrës, në një shekull, faktorë të ndryshëm, kanë ndikuar që botimet e karakterit periodik në qytet, të kenë pasur tiparet e tyre e po kështu edhe periodicitetin.
Sipas saj, historia e shtypit lokal, nuk duhet parë i ndarë nga historia dhe zhvillimi i letërsisë dhe publicistikës, pasi të dyja, janë dy fusha të cilat janë zhvilluar paralelisht. Pra nëse do të duam të kuptojmë sasinë dhe cilësinë e medias së shkruar në fillimet e saj, mjafton të hedhim vështrimin në historinë e zhvillet e letërsisë së qytetit. Kjo shpjegon se përse qyteti bregdetar, e nxori relativisht vonë, periodikun e tij të parë e po kështu edhe faktin se sa të paktë, kanë qenë ndër vite, organet e shtypit të shkruar në Durrës.
Në një vështrim të përgjithshëm, periudhat në të cilat mund të ndahet shtypi lokal, janë ajo pas Pavarësisë, koha e Mbretërisë, periudha e Luftës, regjimi dhe vitet e demokracisë.
Faktorët që kanë ndikuar në lindjen dhe zhvillim e mediave lokale në epoka të ndryshme, janë të lidhura ngushtësisht me zhvillimet e qytetit në aspekte të ndryshme. Për vetë natyrën e tij, një qytet i industrializuar, ku popullsia prirej të zhvillonte më së shumti tregëtinë, Durrësi i kushtoi një vëmendje jo fort të madhe, zhvillimit të fushave si letërsia apo publicistika. E njejta gjë nuk mund të thuhej për Shkodrën apo Elbasanin, të cilat në këtë periudhë patin një zhvillim të madh në aspektin letrar dhe publicistik.
“Pra, në atë periudhë, dukej sikur qytetet kishin krijuar profilet e tyre identifikuese dhe Durrësi, ndonese botonte një të përditshme informative cilësore sikurse ishte “Shekulli i Ri”, nuk hynte në qytetet që shquheshin për mediat e tyre lokale. Popullsia e qytetit bregdetar ishte më tepër e fokusuar në tregëti dhe industri”, thotë studiuesja Flora Dervishi.
E megjithatë, Durrësi vijoi të kishte median e tij lokale, pavarësisht intensitetit të botimit, apo edhe natyrës së tij.
Pas kësaj periudhe, në qytet nuk botohej një periodik i mirfilltë, por pamflete me natyrë tematike, të cilat nxirreshin me raste të festave apo lajmërimeve të rëndësishme, të cilat, ndonëse përcillnin informacion, nuk mund të klasifikoheshin në kuadrin e mediave.
“Adriatiku” ishte një tjetër botim periodik lokal, gjatë kohës së regjimit, i cili nisi botimin e tij në vitin 1967 për të vijuar deri në 1994. Tiparet e këtij periodiku, ishin në të njejtën linjë me gazetat e kohës, në funksion të regjimit dhe informacioni ishte i centralizuar. Megjithatë, sipas studiueses Dervishi, ajo ç’ka vlen për t’u përmendur në këtë periudhë, është mënyra e organizimit të informacionit dhe redaksive, pra aspekti teknik, pa prekur çështjen përmbajtësore.
Ardhja e demokracisë dhe rrëzimi i regjimit, i veshi medias një karakter pluralist dhe e ktheu atë tek qytetetari. Gazeta e parë lokale ishtë një “rimishërim” i “Shekullit të Ri”, një botim i cili mbante të njejtin emër, që u botua në fillim të shtatorit, të vitit 1991 e që zgjati vetëm 9 numra.
Titujt lokalë u pasuruan gjatë viteve, megjithatë ishin botime të paqëndrueshme, të cilat për motive të ndryshme, ku më kryesori ishte ai ekonomik, zgjasnin shumë pak. Të tillë kanë qenë “Durrësi biznes”, revista shkencore “Dyrrah”, një botim i natyrës letrare “Update” e të tjera.
Ndërkaq, vitet e fundit, qyteti i është rikthyer vrullshëm medias së shkruar, ku aktualisht në treg janë katër tituj lokalë, “Gazeta e Durrësit”; “Dyrrah”, “Bulevard” dhe “Investigimi”.

“Shekulli i Ri”, e para e përditshme lokale

Ajo u quajt fletore e përditshme dhe për periudhën kur u botua për herë të parë, në vitin 1924, ishte një ndër gazetat më të zhvilluara të kohës, një organ përfaqësues i qytetarisë dhe zhvillimeve në Durrës. Megjithatë, karakteri i informacioneve që pasqyroheshin në të, ishte jo vetëm lokal. Rubrika të ndryshme, informonin lexuesin durrsak të atyre viteve, mbi ngjarjet në qytete të ndryshme të Shqipërisë si edhe me lajme që ndodhnin nëpër botë.
Informacionet lokale, fokusoheshin kryesisht në aspekte të jetës qytetare, zhvillimeve politike dhe administrative të qytetit, në ndodhitë e kronikës së zezë dhe informacioneve që vinin nga Porti apo ndërmarrje të tjera të industrisë së kohës.
Interesantë ishte forma e paraqitjes së faqes së parë, prej së cilës, veç informacioneve kryesore në lidhje me adresën dhe botimin e fletores së përditshme, nuk përzgjidheshin medeomos informacione dhe artikuj që i përkisnin Durrësit, por ato ç’ka konsideroheshin si më të rëndësishmet, nga botuesit.
Po kështu, prirja që kishin sipërmarrës të ndryshëm të kohës, qofshin këta të mëdhenj a të vegjël, për të reklamuar biznesin e tyre, ishte një tjetër e veçantë e faqeve të “Shekullit të Ri”. Avokatë, tregëtare, industria e cigareve, të gjithë kishin një lajmërim, në formën e reklamës.
Kronika e zezë dhe lajmet “rozë”, kishin po kështu hapësirën e tyre.
Ajo ç’ka shihet nga kopjet e ruajtura në bibliotekën publike të qytetit, është fakti se informacioni në “Shekullin e Ri”, nuk ishte i organizuar në rubrika të caktuara, përveç ndarjes së lajmeve nga Durrësi, Shqipëria dhe bota.
Kjo e përditshme, ndaloi botimin e saj, në fillim të viteve ’30.

Artikulli që rrëfente preferencat e durrsakëve në vitet ’20 – ’30

Shtypi i periudhës 20-30 kishte tipare qytetare të theksuara. Në morinë e informacioneve të cilat paraqiteshin në faqet e gazetës “Shekulli i Ri”, kishte materiale të ndryshme, duke filluar që nga jeta qytetare, reklamime të shumta të bizneseve dhe sipërmarrjeve private, e po kështu, edhe histori “të kripura”. Një e tillë, është edhe një lajm i veçantë, si ky i paraqitur në foton shoqëruese. Lajmi i përket datës 17 nëntor të vitit 1928 dhe është i shkruar me një shqipe të pastandartizuar, e cila vërehet, në rregullat e ndryshme gramatikore, me shqipen e sotme.
“Ma shumë zijoshka martohen se bardhoshka”, ky informacion, i cili mbart tipart e një sondazhi për kohën, është shkruar shkurt, megjithatë mjaftueshëm për të dhënë një prirje të kohës, ndonëse vështirë të thuhet a ishte vërtetë një prirje, për aq kohë sa në artikullin e shkurtër nuk botohet as emër autori i studimit e as metoda studimore, veç faktit të kampionit të marrë dhe përfundimit.
Artikulli flet mbi mundësitë që kanë pasur vajzat zeshkane dhe bionde, për t’u pëlqyer nga meshkujt e për t’u konsideruar si bashkëshorte të ardhshme.
Sipas autorit të studimit, në 100 femra zeshkane, 77 prej tyre ishin të preferueshme për t’u marrë për bashkëshorte, ndërkohë që në 100 femra bardhoshe, vetëm 53 prej tyre, e kishin fatin të përzgjidheshin si bashkëshorte.
Në fund të lajmit, autori i tij, përmend edhe ujin e oksigjenuar, si metoda për t’u kthyer në bionde, që përdorej nga flokëzezat e kohës, ç’ka jo vetëm i shton dozat e simpatisë, lajmit, por në një farë mënyre, tregon edhe emancipimin e femrave durrsake të kohës dhe vëmendjen e tyre ndaj paraqitjes së jashtme.

Abetarja Shqipe 141 vjeçare e Kostandin Kristoforidhit

Ajo është ndër ato sende që nuk të bien shpesh në dorë për t’i parë, njohur apo lexuar. Ashtu e rrallë si është, ndër botimet e pakta që mund të jenë prodhuar në 1872, “Abetarja Shqipe” e Kostandin Kristoforidhit, mund të gjendet vetëm në Bibliotekën Kombëtare, apo edhe në bibliotekën e ndonjë qyteti dhe akoma shumë më rrallë, në bibliotekat personale apo koleksionet e sendeve të vjetra të ndonjë koleksionisti e bibliofilisti të apasionuar.
Një e tillë gjendet edhe në koleksionin personal të një prej njerëzve që më shumë se cilido tjetër, të mrekullon me fanatizmin që ju qendron sendeve të koleksionuara prej tij në vite.
Luan Jaupi është fotografi dhe koleksionisti durrsak, i cili në një hapësirë të shtëpisë së tij, ka grumbulluar objekte me vlerë të cilat datojnë që prej lashtësisë e deri në ditët tona. Një prej tyre, ajo që bie në sy për veçantinë e saj, është “Abetarja Shqipe” e Kostandin Kristoforidhit, e botuar në disa kopje, në 1872.
“Ky është një prej atyre botimeve të vyera që është pjesë e bilbiotekës së trashëguar nga gjyshi im, babai, e tani qendron në bibliotekën time. Është ndër të paktat botime origjinale të asaj periudhe, që ka arritur e plotë deri më sot”, tregon Luan Jaupi, i cili rrëfen se libri “i shenjtë” me të cilin  mësuan shqipen disa breza,jo vetëm është pjesë e bibliotekës së trashëguar prej tre brezash, por do të vazhdojë të trashëgohet.
Ndonëse e kanë kërkuar aq shumë ta përvetësojnë të tjerë, Jaupi, një i apasionuar pas studimit të gjuhëve, thotë se asnjë çmim, sado joshës të ketë qenë, nuk ka mundur t’ia prishë mendjen, aq sa për të hequr dorë nga kjo trashëgimi e vyer.
“Kjo është një prej atyre gjërave që nuk do ta shkëmbeja dot me asgjë tjetër, meqenëse në koleksionistët njihemi për shkëmbime të sendeve mes nesh. Shumë studiues e kanë parë, njerëz të ndryshëm janë ofruar ta blejnë, madje edhe të huaj, të apasionuar pas dokumenteve të rralla, por nuk e kam dhënë. Është ndër të paktat Abetare të realizuara nga Kristoforidhi në 1872, që i ka rezistuar kohës”, thotë Jaupi.
Abetarja me 30 faqe, me gërma arabe dhe latine
Abetarja Shqipe, e cila i ka mbushur plot 141 vjetët e ekzistencës së saj është ruajtur në një gjendje të përkryer, duke bërë që i vetmi faktor që ka ndikuar në këtë libër, të ketë qenë koha. Me fanatizmin më të madh ajo është ruajtur nga zotëruesit e saj dhe sot është lehtësisht e lexueshme nga të gjithë kuriozët që kanë dijeni për të.
Me përjashtim të kapakut të fundit, abetarja i ka të gjitha faqet. Është një libërth i vogël, fletët e zverdhura të të cilit të krijojnë në të njejtën kohë edhe idenë e brishtësisë, pasi të duket sikur do të shkëputen sapo i shfleton, por edhe idenë e rezistencës, kur mendon se ky doracak i shqipes, ka rezistuar plot një shekull e gjysmë.
Ndër fletët e para, dallohet lehtësisht titulli “Abetarja Shqipe” e Kostandin Kristoforidhit dhe po ashtu, edhe viti i botimit, 1872, ç’ka e bën dokumentin të marrë një vlerë të jashtëzakonshme.
Me këtë abetare kanë mësuar shkollat e para të shqipes, të cilat guxuan të çeleshin në një kohë, kur pushtimi otoman, ndonëse i lëkundur, nuk kish rënë ende plotësisht.
Abetarja çelet me alfabetin e gërmave latine, por edhe ato arabe. Shkrimi në brendi të saj është një shqipe e cila ndryshon prej standardit të përdorur sot, e megjithatë është lehtësisht e kuptueshme për këdo.
Teksit shoqërohet me figura dhe metoda e përdorur, nuk është ajo me të cilën jemi mësuar  të përvetësojmë dije prej abetareve të kohës sonë.
“Abetarja Shqipe” e Kostandin Kristoforidhit, botim i vitit 1872, të cilin e disponon koleksionisti dhe fotografi i njohur durrsak Luan Jaupi, është ndër të paktët botime origjinale të këtij lloji, që kanë mbërritur në ditët tona, mbi të gjitha të padëmtuara nga koha.
Ekspozimi për herë të parë
Në vitin 2008, me rastin e festive të nëntorit, Muzeu Historik KOmbëtar, vendosi të ekspozonte 50 dokumente të rralla, të cilat ishin të paekspozuara më parë, në një ekspozitë të titulluar “Udha e alfabetit shqiptar”. Alfabetet, abetaret e para shqipe dhe shkrimet e para në gjuhën tonë, u bënë pjesë e kësaj ekspozite, e cila tërhoqi shumë vizitorë, për shkak të veçantisë.
Bashkë me alfabetet me gërma latine, apo arabe, alfabetin e Stambollit, “Shkronjat e gjuhës shqipe”, nga Sami Frashëri, botuar në vitin 1886, “Abetari i vogël për Msoitore filltore” e vitit 1916 , u rendit edhe “Abetarja Shqipe” e Kostandin Kristoforidhi, botuar në vitin 1872. Të gjitha këto ekspozohen për herë të parë. Ishte hera e parë që në një institucion shqiptar ekspozoheshin aq shumë dokumente të kësaj fushe, sidomos duke u përqëndruar në udhën e ndjekur për shkrimin e gjuhës shqipe. Dokumentet origjinale janë shfrytëzuar nga studiues të ndryshëm të gjuhësisë apo të historisë, shqiptarë apo të huaj, por asnjëherë publiku nuk kish pasur mundësinë t’i shihte dhe njihte ato nga afër.
Luan Jaupi me Abetaren Shqipe